Ndërlidhjet

Kërkohet ratifikimi i marrevëshjes eventuale me Serbinë


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Marrëveshja eventuale midis kryeministrave, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, do të duhej të miratohej nga Kuvendet e të dyja vendeve, thonë përfaqësues të partive politike në Prishtinë.

Sa i përket palës kosovare në këto bisedime që po udhëhiqen nga Bashkimi Evropian, kërkesa e spektrit politik kosovar është që kryesuesi i delegacionit, në këtë rast kryeministri Thaçi me çdo marrëveshje eventuale të respektoj kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniq është përmbajtur nga komentet në lidhje me raundin e tetë, të cilësuar si final të këtij procesi negociues, duke thënë se marrëveshja eventuale do të mund të vlerësohet vetëm pasi që të publikohet.

“Varet shumë nga përmbajtja e këtyre bisedimeve. Nëse marrëveshja është midis dy shteteve, këtë çështje e përcakton mirë Kushtetuta dhe se ajo duhet të ratifikohet në Kuvend”, ka thënë Krasniqi.

Kryeministri Hashim Thaçi ka marrë një mbështetje të pa rezervë nga partia e tij – PDK-ja.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha se kryeministri ka besimin e plotë të partisë dhe pret që bisedimet e Brukselit të rezultojnë me një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

“Çdo vendim që do të merret, ne kemi besim të patundur që kryeministri do ta merr në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe interesat e qytetarëve të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Grabovci.

Përderisa procesi nuk është përmbyllur ende, Lidhja Demokratike e Kosovës, si subjekti më i madh opozitar, është shprehur pak sa me e rezervuar.

Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri tha se kërkesa e vetme për kryeministrin Thaçi në këtë proces është që të respektoj kushtetutën e vendit.

“Ne asgjë nuk kërkojmë më shumë nga kryeministri sesa që të respektohet kushtetuta. Çdo gjë që bie ndesh me kushtetutën, normal që nuk mund ta ketë përkrahjen tonë. Është shumë e qartë që ratifikimi është obligim, pra që marrëveshje të vijë në kuvend për ratifikim apo jo”, ka thënë Beqiri

Palët në bisedime janë inkurajuar në vazhdimësi nga faktori ndërkombëtar që të arrijnë deri te marrëveshja.

Ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby është shprehur optimist se procesi do të përmbyllet me një marrëveshje e cila do të ishte në interesin e të dyja vendeve.

“Do të doja shumë që të shoh një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, ngase mendoj që është mirë të kemi paqe dhe stabilitet në rajon dhe për Serbinë që të lëviz përpara drejt Bashkimit Evropian”, është shprehur ambasadori Kirby.

Marrëveshja eventuale për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi, pritet të ketë si bazë kryesore vendosjen e një normaliteti në komunar veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Marko Jakshiq, njëri nga liderët e serbëve të veriut, thotë se nëse marrëveshja është në kundërshtim me interesat e serbëve të asaj pjese, ata nuk do të lejojnë që ajo të zbatohet.

“Do të zhvillojmë një luftë të madhe politike që të mbajmë këtë pjesë në kuadër të Serbisë siç e parasheh edhe Rezoluta 12 44”, thotë Jakshiq, duke përjashtuar mundësinë që veriu të integrohet në kuadër të sistemnit kushtetues e juridik të shtetit të Kosovës.

Me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashton, kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, kanë zhvilluar një seri takimesh ë Bruksel.

Kurse takimi i 2 prillit është paralajmëruar të jetë vendimtar për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme me të cilën jo vetëm që do të vendosej një fillim i normalizimit të marrëdhënieve midis dyja vendeve, por edhe do të krijohej një marrëveshje bazë për zgjidhjen e problemeve në veri të Kosovës, ku Serbisë i është kërkuar t’i largojë strukturat e saj paralele.
XS
SM
MD
LG