Ndërlidhjet

Maqedoni: KSHZ, instrument në duart e partive


Ilustrim

Ilustrim

Partitë politike të cilat mbetën të pakënaqura nga vendimet e KSHZ-së kanë parashtruar 144 parashtresa në gjykatën administrative e cila të hënën i ka refuzuar të gjitha si të pabaza duke mbështetur vetëm një që ka të bëjë me një njësi zgjedhore në Kërçovë por që nuk ndikon ne rezultatin përfundimtar.

Ekspertët juridik konsiderojnë se vet fakti që pjesa më e madhe e vendimeve janë sjellë pa konsensus por me kundërthënie të ashpra mes anëtarëve të komisionit, flet qartë se ligjet interpretohen nën prizmin e interesave partiake.

Ashtu siç është rasti në më shumë institucione në vend edhe në kuadër të Komisionit Shtetëror zgjedhorë politika është më shumë prezente sesa profesionalizmi , kjo ka bërë që të mbyllen sytë edhe para fakteve dhe argumenteve aq të fuqishme”, thekson Margarita Caca Nikollovaska, ish gjykatëse në Strasburg.

Ajo shton se përvoja e dy proceseve të fundit zgjedhore ka dëshmuar se parregullsitë që kanë të bëjnë me zgjedhjet nuk ndodhin ditën e votimit, dhe pas saj kur dhe vihen në funksion të partive të caktuar mekanizmat juridik.

Gjersa Mersim Maksuti, ekspert për çështje juridike thotë se ndryshimet e fundit në kodin zgjedhor, institucionin KSHZ e bën organ tërësisht të pavarur, andaj sipas tij, nuk duhet lejuar revanshizmat politik sepse kjo i sjell dëm vet institucionit por edhe shtetit në përgjithësi.

Vendimet e këtij komisioni mbi të gjitha duhet të merren në bazë të fakteve dhe argumenteve, këtë e obligon dhe vetë ligji për organizimin e zgjedhjeve në Maqedoni dhe çdo vendim është përgjegjësi e anëtarëve të komisionit në fjalë. Assesi nuk duhet lejuar që KQZ të shndërrohet në instrument të njërës apo ndonjë partie tjetër, ose edhe më keq të krijohen aleanca mes anëtarëve për të realizuar revansh politik ndaj partive të caktuara", shprehet Maksuti.

Ndërkohë, edhe Darko Aleksov kryetar i asociacionit qytetar Most, i cili vëzhgon procesin zgjedhor me më shumë se tre mijë vëzhgues, vlerëson se KSHZ-ja nuk ishte në nivelin e detyrës, duke shtuar se gjatë shqyrtimit të ankesave të partive për raundin e parë zgjedhor, anëtarët e këtij institucioni zhvillonin debat politik dhe joprofesional.

“MOST nuk do t`i kumtojë parashtresat dhe as vendimet drejtuar KSHZ-së për një arsye të vetme, ngase pjesa më e madhe vendimeve nuk ishte në përputhshmëri me kodin zgjedhor, por ato vendime u morën mbi baza të interesave partiake”, është shprehur Darko Aleksov.

Ndryshe KSHZ, në bazë të ankesave të parashtruara nga partitë politike ka marrë vendim që të përsëriten zgjedhjet në disa komuna të vendit.

Partia maqedonase në opozitë LSDM, e ka akuzuar partinë e kryeministrit Nikolla Gruevski se institucionin e KSHZ-së e mban plotësisht nën diktat partiak, gjersa VMRO-DPMNE është kundërpërgjigjur se nuk kanë të drejtë që opozita, mllefin e humbjes ta ndjerë në punën e KQZ-së, por fajin duhet kërkuar në veprimet e saja.

Edhe partitë politike shqiptare BDI dhe PDSH kanë akuzuar njëra tjetrën për instrumentalizim të këtij institucioni në funksion të interesave partiake.
XS
SM
MD
LG