Ndërlidhjet

Përse Koreja e Veriut do të riaktivizojë reaktorin bërthamor?


Për javë të tëra, Koreja e Veriut ka kërcënuar Perëndimin dhe fqinjin e saj jugor.

Por, njoftimi i së martës se do të riaktivizojë reaktorin bërthamor Yongbyon, të mbyllur qysh në vitin 2007, shkon përtej deklaratave të fundit se është në “gjendje lufte” me Korenë e Jugut dhe se “ka kthyer raketat” kundër caqeve në Shtetet e Bashkuara.

Kjo, sepse riaktivizimi i Yongbyon-it riaktivizon edhe aftësitë e Koresë së Veriut për të prodhuar armë bërthamore.

Ekspertët për çështje bërthamore thonë se Koreja e Veriut aktualisht duhet të ketë gjashtë deri në tetë armë bërthamore. Ato supozohet se janë bërë nga plutoniumi që ka prodhuar Yongbyon, para se të mbyllej në vitin 2007, në bazë të një marrëveshjeje për çarmatim me Perëndimin. Në këmbim të çarmatimit, komuniteti ndërkombëtar ka dërguar ndihma në shtetin e varfër komunist.

Kjo marrëveshje më vonë është shfuqizuar, për shkak të dyshimeve të Shteteve të Bashkuara se Phenjani nuk ka ndërprerë plotësisht aktivitetet bërthamore dhe ka vazhduar të nxjerrë plutonium, si dhe ka ndërtuar një objekt të fshehtë për pasurim të uraniumit.

Është ende e paqartë se çfarë pajisjeje bërthamore ka testuar Koreja e Veriut në muajin shkurt – provë kjo që ka shkaktuar krizën aktuale.

Por, Paul Rogers, ekspert për çështje bërthamore në Universitetin Bradford të Anglisë, thotë se ka spekulime për pasurim të fshehtë të uraniumit. Nëse është kështu, vendimi i Phenjanit për të riaktivizuar hapur reaktorin është i frikshëm.

“Uraniumi i pasuruar prodhon më tepër armë të thjeshta, kështu që vendimi për të riaktivizuar reaktorin bërthamor është vërtet shumë i rëndësishëm. Ai lë të kuptohet se Koreja e Veriut dëshiron të ndërtojë një arsenal më të konsiderueshëm dhe, potencialisht, më të përdorshëm bërthamor”, thotë Rogers.

Bombat me plutonium janë më të fuqishme se bombat me uranium të pasuruar. Koreja e Veriut ka tashmë një program të zhvilluar dhe të testuar raketor, por nuk besohet se ka mënyra të tjera për të lëshuar armët bërthamore, pos me aeroplan.

Është ende e paqartë se sa shpejt mund të riaktivizojë Koreja e Veriut reaktorin e saj Yongbyon.

“Jam shumë skeptik se mund të jenë në gjendje ta bëjnë këtë. Nga vizita e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore më 2009 në këtë lokacion, është thënë ai ka qenë rrëmujë e vërtetë. Verikoreanët kanë shpërthyer kullën e ftohjes më 2008 dhe, sipas të gjitha llogaritjeve, kompleksi i reaktorit, pra reaktori për prodhimin e plutoniumit, është në gjendje të keqe. Nuk është e qartë nëse mund të riparohet”, thotë Shannon Kile, ekspert për çështje bërthamore në Institutin Ndërkombëtar për Paqe në Stokholm.

Kile thotë se kur Phenjani ka njoftuar se do të riaktivizojë Yongbyon-in, ai, sipas të gjitha gjasave, ka menduar në riaktivizimin e objekteve të tjera, të lidhura me të – njëri nga to për pasurim të plutoniumit.

Shumë analistë besojnë se Koreja e Veriut është zemëruar me raundin e fundit të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara kundër saj, për shkak të provës së tretë bërthamore në muajin shkurt.

Por, koha e krizës gjithashtu sugjeron se mund t’iu shërbejë nevojave të udhëheqësit të ri verikorean, Kim Jong-un, për të mobilizuar mbështetjen në mesin e elitës ushtarake të vendit.

Kim, 30 vjeç, është shpallur lider suprem pas vdekjes së të atit, Kim Jong-Il, në fund të vitit 2011, ndërsa para kësaj kohe nuk ka qenë i dukshëm.

Eksperti për Korenë në Universitetin Leeds të Anglisë, Aidan Foster-Carter, thotë:

Një pjesë e madhe e kësaj është për nevojat e Kim Jongu-unit që të dëshmojë veten. Ai ka qenë në pushtet për pak më shumë se një vit. Është i padëshmuar, ka pasur shumë pak kohë për t’u përgatitur, për dallim nga babai i tij i ndjerë, Kim Jong-Il, i cili është përgatitur për punën rreth 20 vjet”, thotë Foster-Carter.

Ka pasur po ashtu spekulime se Phenjani mund të përdorë programin bërthamor që një ditë të negociojë marrëveshje të re për ndihmë me Perëndimin, në këmbim të çarmatimit.

Por, Kile thotë se riaktivizimi i Yongbyonit, tani kur marrëveshja e mëparshme është ndërprerë, sugjeron se Phenjani ka ndarë mendjen për t’u bërë fuqi më e madhe bërthamore.

“Më duket se Koreja e Veriut është e vendosur që të shkojë përpara me arsenalin e saj bërthamor. Ata duan ta përmirësojnë atë si në aspektin e numrave, ashtu edhe në aspektin e llojeve të armëve që kanë në dispozicion. Nuk mendoj se janë të gatshëm të tërhiqen për ndonjë lloj të ndihmës humanitare ndërkombëtare”, thotë Kile.

Koreja e Veriut, me gjithë ushtrinë e fuqishme, është njëri nga vendet më të varfra në botë dhe, për kohë të gjatë, ka marrë ndihma ushqimore nga Kombet e Bashkuara, për të mbrojtur popullatën e saj nga uria.(v.tela)
XS
SM
MD
LG