Ndërlidhjet

Serbi: Qëndrimi i Prishtinës duhet të zbutet


Zëdhënësi i Qeverisë së Serbisë, Milivoje Mihajlloviq, tha se pengesë kryesore në dialogun Serbi – Kosovë, është qëndrimi i fortë i Prishtinës.

“Prishtina nuk dëshiron të japë disa fuqi ekzekutive për Asociacionin e Komunave serbe, që do të mundësonin ekzistencën serbe në Kosovë”, tha Mihajlloviq, dhe shtoi se “mendon se kjo është pengesa kryesore”.

Mëtutje, ai i tha agjencisë Reuters në Beograd se “qëndrimi i linjës së fortë i Prishtinës, duhet të zbutet me qëllim që të arrihet paqja jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë rajonin”.

Sipas tij, në ditët e ardhshme, të dy palët do të konsolidohen dhe dialogu do të vazhdoj.

Zëdhënësi i Qeverisë së Serbisë tha se “roli vendosës i BE-së dhe SHBA-ve duhet të rezultoj me vazhdim të dialogut dhe përpjekje serioze që të dy palët të sillen më afër marrëveshjes”.

Këto komente u bën pasi bisedimet e mbrëmshme ndërmjet kryeministrave të dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, përfunduan pa arritjen e ndonjë marrëveshjeje.
XS
SM
MD
LG