Ndërlidhjet

Në Kosovë, gjatë vitit infektohen me sëmundje ngjitëse rreth 130 mijë njerëz.

Sipas zyrtarëve shëndetësorë, numri i rasteve të reja që infektohen me sëmundje ngjitëse është rreth 6 mijë në 100 mijë banorë.

Isme Humolli, epidemiologe në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ka bërë të ditur se rastet e raportuara me sëmundje ngjitëse vijnë kryesisht përmes ujit, ushqimit dhe infrastrukturës jo të mirë, si dhe pjesët rurale që ende furnizohen prej puseve me ujë për pije.

Andaj, sipas saj, kjo ka ndikuar në rritjen e numrit të të infektuarve me sëmundje ngjitëse.

"Sëmundjet që ne kemi problem më së shumti janë diaret akute, ku kemi pasur raste të shumta edhe me variqell si dhe hepatitit A dhe B. Rastet e dyshimta në grip kanë qenë 19 mijë e 300 raste. Sëmundjet ngjitëse vinë si pasojë e shumë faktorëve. Problemi më i madh janë sëmundjet që shkaktohen nga kafshët, dhe barten te njeriu".

"Kafshët, edhe pse kontrollohen nga familjarët, dhe e vërejnë se kafshën e kanë të infektuar nuk e lajmërojnë si të tillë, por e shesin nga një vend në tjetrin. Gjithashtu edhe kushtet ekonomike ta imponojnë një standard dhe kualitet të jetës, e cila bën që rastet me diare akute të jenë më të larta për shkak të konsumimit të ujit jo higjienik për pije, gjithashtu edhe hepatit A dhe B", shprehet zonja Humolli.

Me gjithë numrin e raportuar të sëmundjeve ngjitëse, Kosova nuk ka statistika të sakta për këtë çështje.

Kjo vjen si pasojë e mos raportimit në Institutin Kombëtar, sidomos nga institucionet private shëndetësore.

Faik Hoti, drejtor për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucioni në fjalë nuk është i kënaqur me nivelin e raportimit të këtyre sëmundjeve, sidomos nga ana e institucioneve private shëndetësore.

"Sa i përket raportimit të sëmundjeve ngjitëse, ekziston një raport relativisht i mirë i sëmundjeve. Por, Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHP-ja, si institucione ku mblidhen këto të dhëna, nuk janë edhe aq të kënaqura me nivelin e raportimit të këtyre sëmundjeve, sidomos nga ana e institucioneve private shëndetësore".

"Këtë vit vërehet një tendencë më e mirë e raportimit të sëmundjeve ngjitëse, sidomos atyre malinje, duke qenë se është hartuar edhe fletëza për raportimin e këtyre sëmundjeve dhe ka filluar mbledhja e të dhënave, mirëpo ende ministria nuk është e kënaqur me raportimin", bën të ditur Hoti.

Ndërkaq, zonja Humolli pohon se për shkak të mungesë së sistemit të dejtë të informimit shëndetësor, mungojnë edhe statistikat sa i përket numrit të rasteve të vdekjeve nga kjo sëmundje.

"Rasti i vdekjeve nuk është i rregulluar sepse nuk raportohen në mënyrë të drejtë për shkak të mungesës së sistemit të dejtë të informimit shëndetësor. Por, mund të them se numri i vdekjeve nuk është shumë i madh", shprehet Humolli.

Në Kosovë, sipas zyrtarëve shëndetësorë, vitet e fundit nuk ka pasur ndonjë shpërthim epidemik.

Sa i përket ballafaqimit me sëmundjet ngjitëse, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se kanë kapacitete për t'i përballuar sëmundjet në fjalë.

"Ministria e Shëndetësisë, a i përket kapaciteteve që ka për ballafaqim me sëmundje ngjitëse, është relativisht e kënaqur, sepse janë bërë përmirësime dhe ka ngritje të kapaciteteve, ku për shembull, në Klinikën Infektive janë bërë investime kapitale nga Banka Notërore, Qeveria amerikane dhe MSH-ja, dhe kjo klinikë i ka të gjitha kapacitetet që të ballafaqohet me çfarëdo lloj sëmundjeje", shprehet zoti Hoti.

Sidoqoftë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është pajisur me laborator i cili mund të testojë sëmundje të ndryshme dhe të japë rezultate brenda ditës .
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG