Ndërlidhjet

Obama propozon fond për hartën e trurit njerëzor


Presdenti Barack Obama duke folur për Nismën e Trurit
Presdenti Barack Obama duke folur për Nismën e Trurit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se do të kërkojë nga Kongresi fondin prej 100 milionë dollarësh për ta financuar projektin për përpilimin e hartës së trurit njerëzor, në mënyrë më të detajuar se kurrë më parë.

Këtë plan ai e ka shpallur mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë para një audience, që përbëhej nga shkencëtarët dhe mysafirët e ftuar.

“Si njerëz, ne mund t’i indentifikojmë galaksitë e larguara me vite të dritës, ne mund t’i studiojmë grimcat më të vogla se një atom. Por, ne ende nuk e kemi zbuluar misterin e materies prej 1.2 kilogramësh, që gjendet ndërmjet dy veshëve tanë”, ka thënë Barack Obama.

Shtëpia e Bardhë shpreson se e ashtuquajtura Nismë e Trurit, që nënkupton Kërkime të Trurit nëpërmjet të Neuroteknologjive të avancuara inovative, do të çojw te trajtimet e reja për neurologji dhe sëmundje psikiatrike.

Obama ka kërkuar nga audienca në Shtëpinë e Bardhë që të imagjinojnë “nëse asnjë familje nuk e ndjen veten të pafuqishëm duke i shikuar të dashurit se si zhduken prapa maskës së Parkinsonit ose betejës kundër epilepsisë... ose nëse ne mund ta kthejmë lëndimin traumatik të trurit”.

Por, mjekët nuk mund të bëjnë asgjë nga kjo, meqë ende ata nuk e dinë plotësisht fshehtësinë e trurit të njeriut, ka theksuar Obama, duke shtuar:

“Si rezultat, ne ende jemi të paaftë t’i kurojmë sëmundjet, siç ëshë Alzhajmeri ose autizmi, ose plotësisht t’i kthejmë efektet e sulmit. As kompjuteri më i fuqishëm në botë, as për së afërti, nuk është aq intuitiv sikur truri, me të cilin ne jemi lindur. Pra, ky është një mister i jashtëzakonshëm, që pret të zbulohet”.

“Nisma e Trurit do ta ndryshojë këtë, duke u dhënë shkencëtarëve mjete, të cilat atyre u duhen për ta gjetur fotografinë dinamike të trurit në aksion dhe ta kuptojnë më mirë se si ne mendojmë, si mësojmë dhe si mbajmë mend. Kjo dituri do të jetë dhe duhet të jetë transformative”, ka thënë Obama.

Ai ka parashikuar se kërkimet “mund ta përmirësojnë jetën, jo vetëm të miliona, por të miliarda njerëzve në këtë planet”.

Nëse Kongresi i Shteteve të Bashkuara pajtohet për ta financuar projektin, kërkimi do të udhëhiqet nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, Projekti i Agjencisë së Avancuar të Kërkimit të Mrojtjes dhe Fondacioni Kombëtar i Shkencës.

Derisa 100 milionë dollarë nuk është kërkesë e madhe, shpenzimi i shumës më të madhe do të jetë çështje e vështirë.

Ligjvënësit ende janë të bllokuar në luftën lidhur me nivelin publik përkatës të shpenzimeve, i njohur si sekuestrim, që ka filluar të zbatohet muajin e kaluar.

Shkencëtarët e trurit e kanë mirëpritur këtë nismë. David Fitzpatrick, drejtor shkencor dhe shef i Institutit për Neuroshkencë ‘Max Planck Florida”, që fokusohet në studimin e qarqeve neurologjike dhe strukturave, nismën e Obamës e ka vlerësuar si “spektakolare”.

Richard Frackowiak, bashkëdrejtor i Projektit për Trurin Njerëzor në Evropë, që është themeluar nga Komisioni Evropian, ka thënë se ishte i “entuziazmuar”. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG