Ndërlidhjet

logo-print

Zgjedhjet në Maqedoni: Rrethi i dytë


Pamje nga rrethi i parë i zgjedhjeve në Maqedoni.

Pamje nga rrethi i parë i zgjedhjeve në Maqedoni.

Komisioni Shtetërore i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në rrethin e dytë të zgjedhjeve për pushtetin lokal, që do të mbahet të dielën, do të votohet në 29 komuna dhe Shkupin si njësi e veçantë e pushtetit lokal.

Zgjedhjet në këto komuna nuk kanë përfunduar më 24 mars, pasi asnjëri nga kandidatët nuk ka arritur të marrë mbi 50 për qind të votave, andaj në rrethin e dytë do të garojnë dy kandidatët që morën më shumë vota.

Në disa qytete zhvillohet rrethi i dytë edhe për shkak të anulimit të rezultatit nga ana e KSHZ-së, e cila kishte konstatuar parregullsi nga ana e Komisioneve Komunale Zgjedhore.

Nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi, thotë se komisioni ka bërë përpjekje maksimale për të evituar të gjitha parregullsitë nga rreth i parë dhe pret që të dielën të ketë zgjedhje demokratike.

“Ne, në përgjithësi jemi të kënaqur, me përjashtim të asaj që ka ndodhur në disa komuna ku ka pasur parregullsi dhe çështje tjera teknike të procesit zgjedhor që mund të kenë ndikuar në procesin zgjedhor, në përgjithësi. Ne, si organizatore të procesit zgjedhor, kemi ndërmarrë të gjitha masat që tani në rrethin e dytë të evitohen të gjitha parregullsitë dhe procesi zgjedhor të jetë në harmoni me Kodin zgjedhor dhe me procedurat tjera ligjore”, thotë Jakupi.

Ai, gjithashtu, njofton mbylljen e procesit zgjedhor në 49 komuna, të cilat u fituan nga partitë në pushtet, VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja.

Ndërkohë, puna e KSHZ-së, edhe të mërkurën ka qenë në shënjestër të kritikave për shkak të vlerësimit se ky organ nuk ka punuar në bazë të ligjeve, por sipas bindjeve politike, në veçanti të atyre në pushtet, pasi zgjedhjet janë anuluar pikërisht në komunat që priteshin të fitohen nga partitë opozitare.

"Mënyra se si funksionon Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, hap çështjen e ndryshimeve të reja në Kodin zgjedhor lidhur me mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të këtij organi, nëse duhet të ketë vetëm anëtar partiak apo edhe personalitete tjera jopolitike, ashtu si ishte në periudhën 1998-2000, kur në përbërje të komisionit kishte edhe gjykatës”, thotë ish-kryeministri Vllado Buçkovski.

Ndryshe, sa i përket rrethit të dytë zgjedhor që do të zhvillohet të dielën, gara kryesore do të zhvillohet në qytetet më të mëdha si në Shkup, ku garojnë dy kandidatët maqedonas të pushtetit dhe opozitës, pastaj në qytetet Tetovë dhe Gostivar, ku në garë janë kandidatët e partive shqiptare, si dhe në qytetin e Kumanovës, ku në garë janë dy kandidatë maqedonas, por për fitoren e njërit prej tyre, vendimtare do të jenë votat e elektoratit shqiptar.

Gara etnike pritet të zhvillohet në qytetin e Strugës, ku për kreun e komunës garojnë kandidati i opozitës shqiptare me kandidatin e koalicionit të partive maqedonase.

Kandidati i PDSH-së, Zijadin Sela, ka marrë edhe mbështetjen e BDI-së në pushtet dhe të partive tjera shqiptare duke i dhënë kështu zgjedhjeve në këtë qytet garën etnike, ashtu siç ishte në rrethin e parë në Kërçovë, ku fitoi kandidati i BDI-së, Fatmir Dehari, të cilin e mbështetën të gjitha partitë tjera shqiptare.

Përkundur mobilizimeve në baza etnike fushata e partive që po hyn në fundin e saj është përcjellë me fyerje, akuza dhe kundërakuza të ashpra mes partive, qofshin ato shqiptare apo maqedonase.
XS
SM
MD
LG