Ndërlidhjet

(S')Vështirësohen kriteret për kredi


Ilustrim
Ilustrim
Me gjithë përpjekjet e bankave komerciale për të prezantuar në treg produkte tërheqëse për klientët, kriteret për dhënien e kredive mbesin shumë të vështira, thonë njohës të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Eksperti i ekonomisë, Haki Shatri, thotë se ashpërsimi i kritereve për marrjen e kredive, njëherësh shtrenjtimi i pagesave për shërbimet bankare, tregon përkeqësim të situatës në portofolin e kredive apo zvogëlim të kthimit të kredive sipas dinamikës së paraparë.

“Në këto raste kur i rrezikohet likuiditeti i bankave, ju përkeqësohet portofoli i kredive, ato marrin një vendim që ta bëjnë më rigoroz dhënien kredive, pra vënë kritere shtesë, që e filtrojnë më shumë dhe më kujdes, lirojnë kredi”, thotë Shatri.

Edhe Berat Thaçi, hulumtues në Institutin për Studime të Avancuara “GAP”, konsideron se kërkesa e shumë procedurave për marrjen e kredive, nënkupton përkeqësim të situatës së tyre financiare.

“Shtrëngimi i kritereve për dhënien e kredive ka ardhur nga rritja e numrit të kredive të këqija, ndërkaq rritja e këtyre kredive, ka ardhur për shkak të vështirësimit të ambientit ekonomik në përgjithësi në Kosovë".

"Duhet të ceket se kreditë e këqija janë rritur kryesisht te ndërmarrjet private, pasi sektori privat është kredimarrësi më i madh i huazimit të kredive në sektorin bankar, e që përbëjnë 67 për qind të kredive”
, thekson Thaçi.

Vështirësimi i kritereve për marrje të kredive nga bankat, sipas Berat Thaçit, paraqet një pengesë tjetër të sektorit privat për qasje në kredi.

Disa nga bankat në Prishtinë...
Disa nga bankat në Prishtinë...
E, kur merret parasysh se pjesa dërmuese e investimeve realizohen përmes kredive, vështirësimi i procedurave do të ketë ndikim në mosrealizimin e projekteve të tyre.

Për këtë, thotë ai, autoritetet kompetente duhet që të marrin masa në këtë drejtim..

“Vështirësimi në financim dihet se vështirëson jetën e bizneseve dhe automatikisht bizneset do ta kenë më të vështirë të bëjnë investime të reja. Dihet që, nëse ulen investimet në sektorin privat, si bartës kryesor i zhvillimit ekonomik, pasojat do të jenë negative për ekonominë e përgjithshme të vendit, në rend të parë rritet shkalla më tepër e papunësisë, e që ky është problem shumë i madh në Kosovë”, thotë Thaçi.

Në anën tjetër, disa zyrtarë të bankave komerciale në vend, nuk pranojnë se kanë vështirësuar kriteret për kredi.

Në një përgjigje përmes postës elektronike, Iliriana Tahiraj, zyrtare për media dhe marrëdhënie me publikun në “Raiffaisen Bank”, thotë se ky institucion bankar nuk ka vështirësuar kriteret për kredi, përkundrazi, thotë ajo, banka vazhdimisht ka punuar në thjeshtësimin e kritereve dhe mënyrës së aplikimit për kredi.

Tahiraj thotë se kjo vërehet edhe në ofertën e shumta kredive që banka ofron për biznese të vogla dhe të mesme.

Ndryshe, në Kosovë operojnë dhjetë banka komerciale. Përveç dokumenteve apo dëshmive të shumta për të aplikuar për kredi në këto banka, normat në këto institucione, qe një dekadë, sillen nga 9 deri në 24 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë - norma këto që gjithnjë janë cilësuar si më të lartat në rajon.
XS
SM
MD
LG