Ndërlidhjet

Nga reforma zgjedhore mbeti vetëm emri


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Partitë politike kanë hequr dorë nga reforma zgjedhore, thonë përfaqësues politikë dhe analistë.

Në vend të reformës që parashihej edhe me një rezolutë të Kuvendit, partitë politike, thuhet se po bëjnë vetëm disa ndryshime në ligjin zgjedhor.

Driton Selmanaj, analist i Institutit Demokratik të Kosovës, mendon se termi reformë zgjedhore tashmë e ka humbur kuptimin, pasi që liderët e partive politike kanë hequr dorë nga çështjet kryesore të reformës. Kurse, plotësimet në ligjet zgjedhore, sipas tij, po paralajmërohen të jenë krejtësisht sipërfaqësore.

“Kemi pasur takime të liderëve të klasës politike dhe disa marrëveshje për të mos ndryshuar asgjë. Nëse kthehemi që Kosova të ketë një zonë zgjedhore, dhe nëse kthehemi që Kosova të jetë me lista të hapura dhe forma e votimit të jetë për 5 kandidatë dhe të mos preken këto çështje që përfundimisht kanë qenë elemente themelore për ta ndryshuar legjislacionin tonë zgjedhor, realisht edhe kësaj radhe ata dëshmuan që interesat e tyre janë para interesave të qytetarëve dhe të demokracisë në Kosovë", thotë Selmanaj.

Reformës zgjedhore i pati parapri një marrëveshje ndërmjet liderëve politikë, e cila më pas u mbështet edhe me një rezolutë të Kuvendit. Reforma mendohej të shtrihej si në zgjedhjet lokale, parlamentare, ashtu edhe në ato presidenciale.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kritikon qasjen e partive dhe liderëve politikë për shpenzime të panevojshme, pasi që procesi tani sërish është kthyer në pikën zero.

“Çka jemi duke bërë që ne të përgatitemi për të bërë një reformë zgjedhore që e përmirëson gjendjen? Konsideroj që nuk ekziston një vullnet politik dhe ky vullnet nuk ekziston tek asnjë subjekt politik, e sidomos te shefat e partive politike", deklaron Krasniqi.

Në kuadër të reformave, parashihej që në të ardhmen, presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Por, edhe kjo pjesë e reformave, që binte në kuadër të ndryshimeve kushtetuese, tashmë ka mbetur e parealizuar dhe se liderët sikur janë pajtuar që Kuvendi të jetë ai që do të zgjedhë presidentin edhe në të ardhmen.

Ish-kryetari i Komisionit për reformën kushtetuese, Arsim Bajrami, thotë për Radion Evropa e Lirë se u takon partive politike të vendosin, por ai personalisht mendon se presidenti do të duhej të zgjidhej nga populli.

Arsim Bajrami
Arsim Bajrami
“Është në vullnetin e partive revelante politike, nëse duan apo jo të kenë një president të zgjedhur nga populli. Personalisht, si një ekspert kushtetues, si një nga autorët e Kushtetutës, vlerësoj se për Republikën e Kosovës është shumë me rëndësi që presidenti i ardhshëm të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, në mënyrë që vendit t'i sigurohet një stabilitet kushtetues dhe të fitohen krizat politike që lidhen me mungesën e konsensusit për zgjedhjen e presidentit", vlerëson Bajrami.

Ndërkohë, ndryshimet kushtetuese, të cilat do të mund ta cenonin edhe Pakon e Ahtisaarit, janë ulëset e rezervuara për pakicat.

Me Pakon e Ahtisaarit parashihej që këto ulëse të vlejnë për dy mandatet e para të institucioneve të shtetit të Kosovës dhe më pas të kalohet në ulëset e garantuara për pakicat.

Por, pakicat insistojnë që edhe për dy mandati t'i kenë këto ulëse, kurse nga takimet e liderëve politik, duket se ka një pajtueshmëri për t’i vazhduar këto ulëse edhe për një mandat.
Vazhdimi edhe për një mandat vendeve të rezervuara për pakicat, mendoj se prek Pakon e Ahtisaarit dhe Kushtetutën e Kosovës...

Driton Selmanaj tërheq vërejtjen se me një veprim të tillë, mund të devijohet nga Pakoja e Ahtisaarit.

“Vazhdimi edhe për një mandat vendeve të rezervuara për pakicat, mendoj se prek Pakon e Ahtisaarit dhe Kushtetutën e Kosovës, sepse këtu ka nevojë për ndryshime kushtetuese, ngase Kushtetuta e ka parashikuar që vetëm dy mandatet e para të ketë vende të rezervuara dhe nga dy mandatet më pas, të kalohet në vende të garantuara", shpjegon Selmanaj.

Po ashtu, në të ardhmen pritet që Kosova t’i njeh si pakica kombëtare e kushtetuese edhe malazezët dhe kroatët. Edhe këto pakica, mendohet se më pas do të kërkonin ulëse në Kuvend.

Andaj, nuk përjashtohet që debatet që po zhvillojnë liderët politikë për ndryshimet zgjedhore e kushtetuese, në fund të rezultojnë edhe me shtimin e numrit të ulëseve në Kuvendin e Kosovës, duke u rezervuar ulëse, si pakicave, ashtu edhe diasporës shqiptare.
XS
SM
MD
LG