Ndërlidhjet

Arritjet dhe ngecjet e Planit të Ahtisaarit


Plani i presidentit Marti Ahtisaari për zgjidhjen e statusit të Kosovës, në bazë të cilit ishte shpallur pavarësia e këtij vendi, u ka ofruar komuniteteve pakicë një shkallë të lartë të vetëqeverisjes që ushtrohet përmes pushtetit lokal, thonë përfaqësues të institucioneve nga të dyja nivelet.

Për shkak të ndjeshmërisë politike, Kosova ka të ndarë trajtimin e pakicave në komunitetin serb të cilit i njeh një shkallë më të larët të përfshirjes në institucione dhe pakicat tjera jo serbe.

Ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, tani deputet në Parlamentin e Kosovës, thotë se me decentralizimin e pushtetit dhe dispozitat e Pakos së Ahtisaarit, të cilat janë përfshi tashmë në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, komunat, kanë në përgjegjësitë e tyre 24 kompetenca.

Me ligjin për vetëqeverisje lokale, komunave iu parashikohet një gamë e gjerë e kompetencave, duke filluar nga arsimi parashkollor, fillor e i mesëm. Mjekësia primare, pastaj rregullimi i territorit, dhënia e lejeve, kultura, sporti, rinia dhe një mori, diku afër 24 kompetenca parashihen, përfshi ato të parapara dhe deleguara”, thotë Ferati.

Për akomodimin e pakicave, sidomos asaj serbe, Kosova kishte formuar edhe 6 komuna të reja, prej tyre 5 me shumicë serbe dhe një me shumica turke.

Komunave serbe u njihet dhe e drejta për ta ruajtur komunikimin me Serbinë dhe kultivuar bashkëpunim në fusha të caktuara. Komunat si Graçanica, Ranilluku, Kllokoti, Shtërpca dhe Novobërda, tani funksionojnë në bazë të ligjeve të Kosovës.

Mirëpo, janë edhe tri komuna në veri, Leposaviqi, Zubin Potoku e Zvaçani si dhe komuna e paraparë e Mitrovicës së veriut, që ende funksionojnë jashtë sistemit juridik e kushtetues të Kosovës.

Bojan Stojanoviq, është kryetar i komunës së Graçanicës e cila kufizohet me Prishtinën dhe popullohet nga shumica serbe.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Stojanoviq thotë se kjo komunë ka filluar të rimëkëmbet nga ngecjet në zhvillim me dekada.

Tani, sipas tij, nuk mund të shihet se është bërë ndonjë mrekulli, por mund të vërehen rezultate të dukshme.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për projekte të infrastrukturës, bëhet fjalë për një energji pozitive. Infrastruktura nuk nënkupton vetëm anën fizike, si kanalizime, ujësjellës, rrugë e trotuare. Bëhet fjalë për infrastrukturë socio-ekonomike”, thotë Stojanoviq.

Aktualisht, vijon ai, po punohet në ndërtimin e sallës së sporteve, përderisa ndërtesa e teatrit është në përfundim e sipër.

Ndërkaq numëron edhe renovimet e shkollave si dhe kryerjen më efikase të shërbimeve publike.

Në bazë të planit të Ahtisaarit, përveç nivelit lokal, ku serbëve u janë lanë të udhëheqin me nëntë komuna, është paraparë edhe përfaqësimi në nivelin qendror.

Ky plan, u ka mundësuar serbëve t’i kenë 10 ulëse të rezervuara në Parlament, e po aq edhe pakicave jo serbe.

Këto ulëse janë paraparë të ekzistojnë për dy mandatet e para të legjislaturës së Kosovës së pavarur, kurse nga mandati i tretë parashihet të kalohet në ulëset e garantuara.

Megjithatë, liderët serbë kanë kërkuar që të vazhdojnë edhe për dy mandate tjera me 10 ulëset e rezervuara, kërkesë kjo që ende po shqyrtohet nga lidershipi i Kosovës dhe faktori ndërkombëtar.

Sadri Ferati thotë se edhe nëse vjen deri të vazhdimi i kësaj të drejte, atëherë ajo do të duhej të ishte e përkohshme.

Edhe nëse shtohet mandati i ulëseve të rezervuara, fluidet se do të jetë i përkohshëm, për një apo dy mandate të ardhshme, por jo edhe të përhershme, sa për t’iu dhënë mundësi që edhe serbët që kyçen tash nga pjesa veriore të kenë mundësinë pak a shumë që të jenë më prezent në institucionet qendrore”, ka thënë Ferati.

Përveç legjislaturës, ku njëri nga nënkryetarët e Kuvendit është serb, ky komunitet mbanë edhe një post zëvendëskryeministri në qeveri si dhe dy poste ministrore.

Po ashtu, serbët si edhe komunitetet tjera kanë përfaqësim edhe në Gjykatën Kushtetuese dhe së shpejti, parashihet të hapet edhe një kanal televiziv publik në gjuhën serbe.

Sidoqoftë këto të drejta të parapara me Pakon e Ahtisaarit nuk kanë mjaftuar edhe për komunat veriore të banuara me shumicë serbe, të cilat kanë refuzuar çdo përpjekje për integrim në kuadër të juridiksionit të shtetit të Kosovës.

Madje, as dialogu Prishtinë – Beograd i ndërmjetësuar nga Brukseli nuk ka sjellë ndonjë rezultat konkret në lidhje me integrimin e kësaj pjese.
XS
SM
MD
LG