Ndërlidhjet

KE miratoi propozimin për negociatat për Kosovën dhe Serbinë


Ilustrim
Ilustrim
Komisioni Evropian, miratoi të hënën propozimin që Serbisë t’i jepet data e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës atë të fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, pasi që është konstatuar që këto dy vende i kanë përmbushur kushtet e parashtruara në raportin e vjeshtës.

Këto raporte u miratuan pikërisht në kohën kur në Luksemburg nisi takimi i ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ku u diskutua edhe për çështjet e zgjerimit të BE-së.

Shumë ministra të BE-së kanë përshëndetur marrëveshjen e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, të premten e shkuar, dhe kanë thënë se kjo marrëveshje hap rrugën e integrimeve evropiane, si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, por se këtë ditë nuk do të merren vendime konkrete.

Ministrat e BE-së kanë dëgjuar edhe raportin e përfaqësueses së lartë të BE-së, baroneshës Catherine Ashton.

Ajo ka folur për ecurinë e dialogut, dhe për marrëveshjen e arritur të premten midis dy shteteve.

Ashton e ka quajtur rekomandimin si një kthesë të madhe. Por, siç kanë tërhequr vërejtjen edhe disa ministra të BE-së, tash fokusi duhet të jetë në implementimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo duhet të bëhet para se vendet anëtare, në muajin qershor, të miratojnë vendimet për datën e nisjes së negociatave për anëtarësim me Serbinë, dhe ato për MSA-në me Kosovën.

Një gjë të tillë e ka thënë edhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle.

"Ne duam të shohim që marrëveshja ne mes të Serbisë dhe Kosovës të implementohet. Kjo është vërtetë e rëndësishme për ne", ka thënë Westerwelle.

Njëlloj mendojnë edhe shumica e ministrave të tjerë, të cilët e vlerësojnë si të jashtëzakonshme këtë marrëveshje, por thonë se palët do të gjykohen në bazë të implementimit.

Komisioneri për zgjerim i BE-së, Stefan Fule tha se gjatë kësaj jave pritet që të dyja palët të paraqesin edhe planin për implementimin e marrëveshjes.

Ai tha se vendet anëtare tash pritet që të diskutojnë dhe të përgatisin vendimin që do të merret në muajin qershor.
XS
SM
MD
LG