Ndërlidhjet

Plani për zbatimin e marrëveshjes - gati


Kabineti i Qeverisë së Kosovës
Kabineti i Qeverisë së Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, ka deklaruar se Kosova e ka përgatitur planin e zbatimit të marrëveshjes së arritur me Serbinë, me 19 prill në Bruksel.

Ai i ka ftuar të gjitha institucionet e Kosovës që të angazhohen për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, me garancitë dhe mbështetjen e plotë, siç ka thënë ai, të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, institucioneve të vendit, EULEX-in, NATO-n, si dhe OSBE-në për zgjedhjet e lira që do të mbahen në veri.

Ai ka theksuar se marrëveshja është e fqinjësisë së mirë dhe e paqes.

Kryeministri Thaçi ka paralajmëruar se delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, do të jetë nesër në Brukseli për të biseduar për procesin e zbatimit të marrëveshjes.

“Kosova e ka përgatitur planin e implementimit. E ka gati. Nesër do t’ia prezantojmë kabinetit të baroneshës Ashton në Bruksel. Plani është konkret, me akte ligjore, afate kohore dhe akterët e implementimit. Presim që ta kemi planin implemetues, do të thotë, të dakorduar, deri më 26 prill, siç është e përfshirë në marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që menjëherë të fillojë implementimi”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Ai ka theksuar se zbatimi i marrëveshjes do të jetë sfidë dhe se fati i marrëveshjes do të varet nga zbatimi.

Siç ka thënë ai, është e rëndësishme që të gjitha institucionet në Kosovë dhe faktorët relevantë e mbështesin procesin.

Kryeministri i Kosovës i ka quajtur inkurajuese edhe thirrjet që Qeveria e Serbia ua ka bërë qytetarëve serbë që jetojnë në veriun e Kosovës për zbatimin e marrëveshjes, për të cilën, Thaçi ka thënë se nuk është e drejtuar kundër askujt.

“Ky plan nuk është i drejtuar kundër askujt. Është në shërbim dhe në interesin e e të gjithëve. Planit implementues nuk duhet t’i frikësohet askush, as qytetarët në veri, pavarësisht nga tonet dezorientuese që mund t’i prezantojnë disa njerëz që e kanë mbajtur peng veriun tash e 14 vite".

"Plani ynë është plan i paqes, është plan mirëkuptues, i tolerancës, një plan i jetës së përbashkët për të ardhmen, një plan zhvillimor, i punësimit, i rritjes së mirëqenies sociale, plan i jetës së re, plan i Kosovës demokratike dhe evropiane”, ka thë kryeministri Thaçi, duke shtuar se ky është plan i përbashkët i Kosovës dhe botës demokratike, për realizimin e të cilit do të ketë sfida.

Por, ai ka theksuar bindjen se ky plan do të jetë i suksesshëm.

Siç ka thënë ai, plani i zbatimit të marrëveshjes do të përmbyllet brenda dy ditëve të ardhshme, ashtu siç është planifikuar me marrëveshje dhe më pas, në ditët e ardhshme, pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet të dy kryeministrave, të Kosovës dhe Serbisë, do të sillet para Kuvendit të Republikës së Kosovës për tu ratifikuar.

Në anën tjetër, çështja e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel, është temë e diskutimeve edhe në Serbi.

Atje tashmë është formuar ekipi i aksionit për zbatimin e marrëveshjes me Kosovën.

Nikolla Seljakoviq, ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Serbisë, i cili është edhe pjesë e këtij ekipi, ka theksuar se zbatimi i marrëveshjes është një detyrë e rëndësishme dhe se ajo duhet të zbatohet me përpikëri.

E dini se aty janë disa dispozita të karakterit të përgjithshëm dhe ato duhet të konkretizohen dhe të zbatohen në vepër. Gjithsesi se që kjo është një detyrë jashtëzakonisht e rëndësishme. Marrëveshja është arritur. E dimë që ajo është baza dhe tash të shohim se si do ta zbatojmë në vepër atë që e parasheh marrëveshja. Ajo ka paraparë gjëra serioze dhe unë këtu mund të them me përgjegjësi se çdo presë, çdo pikë dhe çdo shkronjë e marrëveshjes, duhet të jetë diçka nga e cila nuk guxohet të hiqet dorë”, tha Seljakoviq.

Mendim të ngjashëm ka shprehur edhe Nenad Gjurgjeviq, koordinator i Forumit për marrëdhënie etnike në Beograd.

Ai ka theksuar se Serbia nuk guxon t’i bishtnoj marrëveshjes, prandaj, serbët e veriut të Kosovës, të cilët që nga fillimi i procesit ia kanë besuar Beogradit zyrtarë që t’i prezantojë interesat e tyre, duhet t’i besojnë edhe më tej.

Unë mendoj se edhe më tutje besimi që kanë serbët ndaj Qeverisë së Serbisë është shumë më i madh se sa ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe ndaj Qeverisë së Kosovës. Thjeshtë, në këtë trekëndësh, mendoj se serbët e Kosovës nuk kanë ndonjë zgjedhje të madhe, përveç se t’i japin mbështetje qeverisë, e cila e ka nënshkruar marrëveshjen dhe Kuvendit që do ta miratojë, si dhe nga kjo të nxjerrin më të mirën që munden”, theksoi Gjurgjeviq.

Ndryshe, të enjten Bruksel, pritet të shkojë edhe delegacioni që përfaqëson Serbinë, ku me ekipin kosovarë do të bisedohet edhe për zbatimin e marrëveshjeve , të cilat ishin arritur më parë në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe problemet e evidencuara gjatë zbatimit.
XS
SM
MD
LG