Ndërlidhjet

Serbia nuk pranon planin e zbatimit


Bruksel...
Bruksel...
Pas dy ditësh të takimeve të gjata, delegacionet nga Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen plotësisht për një plan të veprimit për zbatimin e marrëveshjes, e cila ishte arritur nga dy kryeministrat, Thaçi e Daçiq, javën e shkuar.

Kjo u bë e qartë pas përfundimit të takimeve dyditëshe nga zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, i cili është udhëheqës i delegacionit kosovar në këto bisedime.

Duke folur pas takimeve me palën serbe dhe me pjesëtarë të Bashkimit Evropian, Kuçi tha se Kosova ka ardhur në Bruksel duke pasur parasysh afatin për prezantimin e planit të implementimit.

"Si Qeveri, ne jemi të gatshëm të marrim përgjegjësinë për implementimin e kësaj marrëveshjeje dhe njerëzit në Kosovë e Serbi, presin që ky plan të implementohet. Në fund të këtij takimi doli një draft nga zoti (Fernando) Gentilini, si ndërmjetës i BE-së, dhe ne e pranuam këtë plan dhe jemi të gatshëm ta përmbushim, por mendoj se delegacioni i Serbisë ka nevojë për më shumë kohë dhe më shumë konsultime", tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.

Ai shprehu shpresën e tij se javën e ardhshme serbët do të jenë në gjendje të nënshkruajnë marrëveshjen edhe për zbatim edhe marrëveshjen e arritur më parë dhe ky nënshkrim do të bëhej nga dy kryeministrat, si dhe nga baronesha Catherine Ashton.

I pyetur për afatet kohore që përmenden në marrëveshje, Kuçi tha se janë pajtuar për disa afate, dhe si shembull përmendi faktin se zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, këtë vit do të zhvillohen në kohën kur zhvillohen zgjedhjet lokale në tërë territorin e Kosovës.

Ndërkohë, burimet evropiane nuk kanë dashur të flasin për takimin e së premtes, duke thënë se ka qenë një takim i karakterit të punës.

As pala serbe nuk ka dashur të flasë për media dhe vetëm është larguar nga takimi pa dhënë deklarata për këtë takim.

Burimet diplomatike në Bashkimin Evropian kanë saktësuar se të premten ka qenë afati i paraqitjes së një plani të implementimit të marrëveshjes së arritur, mirëpo nuk pranojnë të flasin nëse mosarritja e këtij plani gjatë ditës së premte paraqet edhe shkeljen e parë të marrëveshjes së arritur, pasi që në pikën 12 marrëveshja qartë e paraqet datën 26 prill si datë kur duhet të ketë një plan të veprimit për implementimin e marrëveshjes.

Sido që të jetë, shtetet anëtare të BE-së kanë bërë të qartë se duan që marrëveshja të zbatohet në terren dhe kjo të ndryshojë situatën sidomos në veri të Kosovës, sepse nuk duan që marrëveshja të mbetet vetëm në letër.(a. palokaj)
XS
SM
MD
LG