Ndërlidhjet

Produktet kosovare në tregjet evropiane


Lëngjet Mam's nga "Ask Foods"
Lëngjet Mam's nga "Ask Foods"
Produktet të cilat prodhohen në Kosovë, ndonëse me shumë vështirësi, por kanë arritur të depërtojnë në tregjet rajonale dhe botërore. Nëse për këto prodhime ka pasur paragjykime se nuk janë cilësore dhe nuk mund të jenë konkurrentë me produktet e shteteve më të zhvilluara, kjo ka filluar të zhduket, bëjnë të ditur përfaqësues të bizneseve prodhuese në Kosovë.

Kompania “ASK Foods”, në Gjilan, e cila merret me përpunimin e pemëve dhe perimeve është njëra nga kompanitë kosovare, e cila ka arritur të depërtojë me produktet e veta në shumë vende të botës.

Pronari i kësaj kompanie, Barlet Namoni, tregon për Radion Evropa e Lirë se produktet kosovare në tregjet e rajonit, si në Maqedoni, Mali i Zi apo edhe në Shqipëri, është më vështirë të depërtojnë, për shkak të subvencioneve që kanë këto shtetet për prodhuesit e tyre, derisa në tregjet e vendet tjera evropiane si Anglia, Gjermania apo Italia, produktet e Kosovës kanë gjetur treg.

Depërtimi në këto tregje, sipas Namonit, është bërë për shkak të cilësisë së mirë që kanë prodhimet e Kosovës.

“Sa i përket problemeve që shfaqen në tregun e brendshëm, kemi probleme për arsye të konkurrencës së madhe nga shtetet e rajonit, ku ato përfitojnë subvencione nga shteti për çdo kilogram të produktit që e eksportojnë jashtë shtetit, e fatkeqësisht ne nuk e kemi atë mbështetje. Ndërsa, sa i përket tregut ndërkombëtar, nuk kemi aspak problem për shkak të kualitetit të produkteve tona”, shprehet Namoni.

Problemet, me të cilat ballafaqohen prodhuesit kosovarë, e që theksohen vazhdimisht, janë Tatimet e larta mbi Vlerën e Shtuar, taksat doganore për lëndën e parë, financimi i vështirë për bizneset, normat e larta të interesit.

Bizneset kishin kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të bëhen ndryshime në politikat fiskale, në mënyrë që prodhuesit kosovarë të jenë të barabartë me prodhuesit e vendeve rajonale.

Ndërmarrja për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike “Frutex”, nga Suhareka, me shumë vështirësi, por ka arritur që produktet e saj t’i eksportojë në shumicën e vendeve të rajonit, por edhe në Austri, Itali, Afrikë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Produkte nga fabrika e lëngjeve "Frutex" në Suharekë
Produkte nga fabrika e lëngjeve "Frutex" në Suharekë
Pronari i kësaj kompanie, Shaqir Palushi, thotë se ka përmirësime sa i preket eksportit të produkteve të kësaj kompanie. Ai tregon se po arrijnë të jenë të pranishëm në tregjet e evropiane dhe të jenë konkurrentë me produktet e atyre shteteve.

“Fatmirësisht, kohëve të fundit janë krijuar kushtet, si nga institucionet ashtu edhe nga investimet e vazhdueshme të kompanive. Kemi arritur të jemi konkurrentë edhe me çmim, edhe me cilësi, në të gjitha vendet e rajonit, si në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, Bosnje edhe në Serbi, por me vështirësi shumë të mëdha”, tregon Palushi për Radion Evropa e Lirë.

Derisa produktet e Kosovës, siç thekson Palushi, depërtojnë me shumë vështirësi në tregun e Serbisë, për shkak të pengesave që shteti iu bën prodhimeve kosovare, në Kosovë ndodh e kundërta. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Serbia vazhdon të jetë importuesi kryesor në Kosovë.

Paragjykimet se produktet e Kosovës nuk mund të jenë cilësore, sipas përfaqësuesve të biznesit, janë të shprehura, ndoshta edhe për faktin se Kosova është një vend, që po kalon në një fazë të tranzicionit dhe me shumë probleme ekonomike.

“Fatkeqësisht, ka paragjykime për produktet kosovare, që ndoshta me arsye apo pa arsye bëhen, besueshmëria nuk është e madhe, po ka filluar të tejkalohet kjo. Por, ende vazhdon të paraqesë problem për ne”, shton Palushi.

Produkt nga "Ask Foods"
Produkt nga "Ask Foods"
Ndërsa, pronari i kompanisë “ASK Foods”, thotë se këto paragjykime më shumë janë të shprehura në Kosovë nga vetë qytetarët e saj sesa nga konsumatorët apo kompanitë në vendet evropiane, ku ata eksportojnë prodhimet e tyre.

“Ndoshta jemi njëra ndër gjeneratat e para, të cilat kemi filluar ta thyejmë këtë paragjykim së pari në tregun tonë. Njerëzit kanë ndërruar mendim sa i përket produkteve kosovare, ndërsa në tregun ndërkombëtar nuk kemi kësi problemesh. Çdo marrëveshje që krijojmë me partnerë, së pari janë procedurat, dërgojmë mostrat, bëhen testet zakonisht na ndodh që bashkëpunimi fillon pasi që të analizohen dhe shijohen produktet tona”, shpjegon Namoni.

Ndryshe, në vitet e paraluftës, Kosova kishte eksport shumë më të lartë se sa tani. Industria në Kosovë ishte në funksion të ekonomisë së Kosovës dhe kjo bënte që vendi të kishte çfarë të eksportonte.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shuma totale e importit gjatë shkurtit 2013 ishte 156.3 milionë euro, kurse vlera e eksportit 22.6 milionë euro.
XS
SM
MD
LG