Ndërlidhjet

Thirrjet e "injoruara" për zgjidhjen e emrit


Qeveria e Maqedonisë po dëshmon nga dita në ditë se nuk është e interesuar për procesin e integrimit euroatlantik.

Kështu reagojnë njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare duke folur për heshtjen e zyrtarëve lidhur me kritikat e repartit të Komisionit Evropian për Maqedoninë dhe raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive e njeriut.

Dy raportet kritikojnë autoritetet për ngecje të shumta në procesin e afrimit të vendit drejt BE-së, për shkak të mosshfaqjes së shenjave për zgjidhjen e kompromisit me Greqisë si dhe për mospërmbushjen e kritereve kryesore që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të njeriut.

Këto vërejtje jo që nuk janë komentuar, por zyrtarët tani një kohë ndodhen jashtë vendit me arsyetimin e lobimit për tërheqjen e investimeve nga jashtë nga shtetet si Azerbajxhani, Argjentina, Brazili e kështu me radhë.

Profesori universitar, Nikolla Dujoski thotë se është fakt se prioritetet e kësaj qeverie janë të drejtuara nga çështjet ekonomike dhe tërheqjen e investimeve të jashtme, për çka flasin edhe vizitat e zyrtarëve të saj në shtetet e Amerikës Jugore, e kështu me radhë, por, sipas tij, qeveria nuk duhet të harroj se për ne për momentin shumë me më rëndësi janë integrimet euroatlantike.

“Do të ishte jashtëzakonisht mirë nëse paralelisht me këtë prioritet i jepet shtytje edhe integrimit euroatlantik apo zgjidhjes e çështjes së emrit me Greqinë, por fatkeqësisht mendoj se kjo nuk është në prioritetin e kësaj qeverie”, thotë Dujoski.

Sipas tij, një qasje e këtillë e kreut shtetëror rrënon imazhin ndërkombëtar të vendit dhe len për shtypjen e një shteti joserioz dhe të papërgjegjshëm.

“Ne disi jemi të përqendruar vetëm në tërheqjen e investimeve të jashtme, të cilat nuk do të vijnë nëse ne nuk i rregullojmë çështjet që kanë të bëjnë me gjyqësinë, sjelljen parlamentare, e shumë çështje tjera që para së gjithash ndërlidhen me procesin e integrimin”, thotë Dujoski.

Ndërkohë, Bashkim Selmani, ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës thotë se presioni ndërkombëtar duhet të jetë më i fuqishëm kur sheh se qeveria injoron thirrjet për zgjidhjen e kontestit që do ti hapte rrugën marrjes së datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

“Faktori ndërkombëtar Maqedonisë i ka dhënë më shumë hapësirë se sa e meriton. Po të ishte faktori ndërkombëtar pak më serioz në ofrimin e solucioneve për zgjedhje, besoj se problemi do të ishte zgjidhur shumë kohë më parë. Mirëpo po të analizojmë edhe problemet tjera që paraqiten në Maqedoni, unë besoj se është krijuar një situatë e atillë që ata nuk do të bëjnë kompromis”, thotë Selmani.

Veç kësaj, ai thotë se pala maqedonase duhet të ketë parasysh edhe se durimit të shqiptarëve po i vjen fundit pasi ata kërkojnë më çdo kusht integrimin e vendit në NATO dhe BE.

Qytetarët shqiptar realisht janë në pozitë të palakmueshme dhe besoj se kanë arritur deri në pikën e fundit apo në kufirin e vijës së kuqe pasi u bënë më shumë vite që edhe në aspektin e të drejtave, edhe në aspektin ekonomik, edhe në atë politik qytetarët shqiptar tanimë janë të lodhur”, thotë Selmani.

Ndryshe, përveç heshtjes së institucioneve ndaj kritikave nga jashtë, mediat e afërta me pushtetin që nga publikimi i raporteve kanë nisur një fushatë anti-perëndimore, madje disa prej tyre, kanë publikuar edhe raporte të shteteve të ndryshme që kritikojnë SHBA-të dhe BE-së për gjoja standarde të dyfishta.

Njohësit e zhvillimeve politike thonë se shkrimet e këtilla janë të dëmshme dhe nuk sjellin perspektivë për vendin, i cili nuk ka alternativë tjetër përveç integrimit euroatlantik.
XS
SM
MD
LG