Ndërlidhjet

Dita e Punës: Papunësi e lartë në Kosovë


Dita Ndërkombëtare e Punës, Kosovën e gjen me gati gjysmën e popullatës të papunë, që sipas përfaqësuesve të punëtorëve, kjo situatë është alarmante.

Shifrat lidhur me këtë ndryshojnë nga vetë institucionet kompetente. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në vitin 2011, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, rezulton se 44.9 për qind janë të papunë.

Ndërkaq, të martën kjo agjenci ka publikuar një anketë të quajtur “Fuqia punëtore në gjashtë mujorin e parë të vitin 2012”, ku thuhet se shkalla e papunësisë është 35.1 për qind.

Kurse, sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, vlerësohet se të papunë në Kosovë janë deri në 43 për qind.

Por, përfaqësues të punëtorëve thonë se shkalla e papunësisë në Kosovë arrin mbi 50 për qind, pasi jo të gjithë të të papunët regjistrohen në zyrat komunale të punësimit.

Deri në fund të muajit shkurt të këtij viti, sipas Ministrisë së Punës, të papunë në qendrat rajonale kanë qenë të regjistruar 262 mijë e 531 punëkërkues.

Në anën tjetër, sipas të dhënave zyrtare, të punësuar në sektorin publik janë rreth 78 mijë punëtorë, ndërsa në sektorin privat, numri i të punësuarave arrin shifrën mbi 123 mijë.

Hasan Abazi, nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se situata është alarmante sa i përket gjendjes së papunësisë.

Pjesa më e madhe e të papunëve në Kosovë janë të rinj me nivel të arsimit të mesëm.

“Shkalla e papunësisë në Kosovë jo se është zvogëluar, por ajo është në rritje e sipër, për arsye se nuk ka gjenerim të vendeve të reja të punës. Kjo papunësi është në saje të politikës jo të mirë të Qeverisë sonë, kështu që ne jemi shumë të pakënaqur me një politikë të tillë, e cila për një vit nuk arrin të gjenerojë as deri në dy vende të reja të punës, e mos të flasim për 30 mijë të rinj që dalin për çdo vit në tregun e punës”, thotë Abazi.

Bajram Haziri, 50 vjeçar, është i papunë dhe nuk është i regjistruar në zyrat e punësimit.

Ai ka punuar në një ndërmarrje tashmë të privatizuar, kështu që nga përfundimi i luftës, nuk ka arritur të gjejë ndonjë vend pune.

Haziri shprehet i zhgënjyer me angazhimin e institucioneve qeveritare për krijimin e vendeve të reja të punës.

“Jam zhgënjyer, krejtësisht, sepse askush nuk ka bërë asgjë në atë drejtim. Ata që duhet të punojnë për këtë çështje, shikojnë vetëm interesat e veta”, thotë Haziri.

Edhe Ali Dragusha, anëtar i Këshillit Ekonomik Social, thotë se shqetësuese në këtë aspekt mbetet papunësia afatgjate, pasi, sipas tij, me dekada ka njerëz të papunë.

Shkalla e lartë e papunësisë po shfrytëzohet edhe nga punëmarrësit në sektorin privat, thotë Dragusha, duke shtuar se pranojnë dhe largojnë punëtorë kur dëshirojnë.

Kosova, që nga janari i viti 2011 ka Ligjin e Punës, por ky ligj, sipas tij, nuk zbatohet në mënyrën e duhur në sektorin privat.

“Duke pasur parasysh se punëdhënësi në një formë apo tjetër, e shfrytëzon situatën e krijuar, shkallën e papunësisë dhe ai ka mundësi të zgjedhjes, apo 'bredhjes' me fuqi punëtore, sepse punëtori nuk paraqet rastet”.

“Pastaj, keqpërdoren në forma të ndryshme, gjoja se ai e shfrytëzon pushimin, punon tetë orë pune, por të gjitha këto nuk qëndrojnë, sepse në sektorin privat eksploatohet në të gjitha format”, shprehet Dragusha.

Ndryshe, autoritetet kompetente në Prishtinë, thonë se angazhimet në krijimin e vendeve të reja të punës nuk mungojnë.

Në një përgjigje përmes postës elektronike, zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, për Radion Evropa e Lirë theksojnë se në bashkëpunim më faktorët relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë, kanë realizuar një numër projektesh, ku vetëm gjatë vitit të kaluar kanë arritur të punësojnë 4,600 punëkërkues.

Por, Hasan Abazi, nga BSPK-ja, e quan marketing politik deklaratën e Ministrisë së Punës.

Jemi shumë të pakënaqur me angazhimin e një politike qeveritare, për rritjen e vendeve të reja të punës. MPMS ka bërë një propagandë, se gjoja ka punësuar një numër të punëtorëve me ato fonde, por ato fonde janë shfrytëzuar sa për marketing politik, se asgjë në realitet nuk ka”, shprehet Abazi.

Sidoqoftë, përveç shkallës së lartë të papunësisë dhe problemeve, me të cilat përballen punëtorët në sektorin privat, dita e 1 Majit, i gjen të përçarë edhe përfaqësuesit e punëtorëve.

Hasan Abazi tregon se për shkak të problemeve brenda këtij mekanizimi, nuk kanë pasur mundësi që të organizojnë ndonjë aktivitet për të shënuar 1 Majin, ashtu siç, shënohet në vende të ndryshme të botës.

Individë të caktuar të shtyrë nga politika dhe interesat e ngushta personale, kanë humbur atë fuqinë e klasës punëtore në Kosovë. Federatat për momentin funksionojnë si funksionojnë, por një forcë, e cila do të tregonte forcën e punëtorëve në Kosovë, për 1 Maj, mungon dhe nuk ka mundësi të organizohet ndonjë aktivitet”, shprehet Abazi.

Në mbarë botën, 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës, kryesisht shënohet me protesta.

Dita e Punës është festë ndërkombëtare, e cila i kushtohet luftës për ruajtjen dhe përparimin e të drejtave të punëtorëve.
XS
SM
MD
LG