Ndërlidhjet

Barnat në Kosovë, me apo pa cilësi?


Foto: Shutterstock
Foto: Shutterstock
Cilësia e produkteve farmaceutike në Kosovë, duket të mos jetë në nivelin e duhur.

Kështu thonë zyrtarë në Shoqatën e Farmacistëve.

Sipas tyre, analizat e barnave që hyjnë në Kosovë nuk bëhen aq sa duhet, duke u bazuar në mostrat e marra të barnave.

Besim Muzaqi, kryetar i kësaj shoqate, jep më shumë hollësi.

“Sa i përket cilësisë së barnave, shoqata farmaceutike e Kosovës insiston që cilësia e tyre të jetë maksimalisht e kontrolluar edhe nga laboratoret referente jo vetëm ai i AKPM- së, duke e ditur që ato nuk janë në nivel sa i përket resurseve humane dhe specialistëve të lëmive të veçanta”.

“Ne jemi të shqetësuar nga kualiteti i barnave që hyjnë në Kosovë dhe mënyrën se sa ato kontrollohen, e që duhet të bëheshin në të gjitha pikat e shitjes , shpërndarjes, pikat ku importohen barnat”, thotë Muzaqi.

“Këto analiza do duhej t’i bënte agjencia për pajisje dhe produkte medicinale përmes laboratorit që është i akredituar brenda institucionit. Ne si shoqatë nuk jemi të kënaqur me sasinë e mostrave të marra. Prandaj mendojmë si shoqatë se analiza nuk bëhen mjaftueshëm në Kosovë për barnat”, thekson ai.

Por kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, Ilir Dushi, thotë se cilësia e barnave në Kosovë është në nivelin e duhur, duke u bazuar në analizat e bëra në laboratorin e këtij institucioni dhe laboratorë të autorizuar.

Ai gjithashtu shton se numri i barnave të regjistruara që hyjnë në Kosovë ka bërë që kualiteti i barnave të jetë në nivel.

“Në Kosovë nuk ka pasur probleme të theksuara sa i përket kualitetit të produkteve medicinale. Sot janë të gjitha kompanitë e mëdha të regjistruara dhe numri i barnave është rreth 3 mijë, derisa këto kompani përmbajnë produkte shumë kualitative. Edhe nëse dëshiron të importosh në Kosovë produkte të kualitetit të dobët, konkurrenca nuk e lejon”.

“Ndërkaq, ne me ligj jemi të obliguar që të gjitha produktet që hyjnë në Kosovë, duhet ta ketë certifikatë analize nga kompania që e importon. Asnjë produkt nuk lejohet të hyjS në Kosovë pa certifikatë të analizës. Kontrolli bëhet nga vetë prodhuesi me dëshmi konkrete që ai produkt i plotëson standardet”, bën të ditur Dushi.

Problem tjetër mbetet edhe mosrespektimi i transportit të ilaçeve, e që krijon mundësi në denatyralizimin e tij.

Këtë e thonë profesionistë shëndetësorë, ku sipas tyre edhe pse në secilin paketim të ilaçit shkruajnë kushtet e ruajtjes, ajo nuk respektohet.

Andaj kështu mund të bëhet denatyralizimi i tyre dhe mund ta humbas veprimin tek pacientët.
XS
SM
MD
LG