Ndërlidhjet

Edhe tre të arrestuar të tjerë për sulmet në Boston


Boston 15 prill, 2013
Boston 15 prill, 2013

Policia e Bostonit ka arrestuar tre të dyshuar të tjerë në lidhje me sulmet në Maratonën e qytetit.

Departamenti i policisë nuk ka publikuar detaje të tjera ne lidhje me identitetin e tyre apo rolet e dyshuara, por ka konfirmuar se nuk ka pasur kërcënim për sigurinë publike, raporton BBC.

Sulmet e 15 prillit kanë lënë tre persona të vrarë dhe mbi 260 të plagosur.

Dzhokhar Tsarnaev, 19 vjeç, është akuzuar formalisht në lidhje me to. Vëllai i tij, Tamerlan, 26 vjeç, është vrarë gjatë të shtënave me policinë në Boston, më 19 prill.

“Tre të dyshuar të tjerë janë marrë në paraburgim. Përveç kësaj nuk ka ndonjë informacion shtesë për publikim”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Policisë në Boston.

CNN raporton se dy nga të arrestuarit janë studentë me prejardhje nga Kazakistani dhe i identifikon ata si: Azamat Tazhayakov dhe Dias Kadyrbayev. Sipas burimit të njëjtë, i treti është shtetas amerikan.

Autoritetet më herët kanë sugjeruar se dy vëllezërit kanë vepruar të vetëm. Dzhokhar Tsarnaev, i cili është plagosur në të shtënat me policinë, është akuzuar për përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë dhe shkatërrim qëllimkeq të pronës, që ka rezultuar me viktima. Ai mund të dënohet me vdekje nëse shpallet fajtor për akuzën e parë.

Kur është pyetur nga policia në spital në lidhje me sulmet, Dzhokhar ka thënë se ai dhe vëllai i tij kanë qenë të zemëruar me luftërat e Shteteve të Bashkuara në Irak dhe Afganistan. Ai mbetet në spital të një burgu.

Tamerlan Tsarnaev thuhet se ka qenë nën hetimet e FBI-së, por nuk janë gjetur prova për kërcënime nga ai.

Të martën, presidenti Barack Obama ka thënë se autoritetet e sundimit të ligjit kanë ndjekur protokollin dhe nuk janë fajtorë.

Familja Tsarnaev ka origjinën në Çeçeni – rajon i dominuar me shumicë myslimane në jug të Rusisë. Dy vëllezërit kanë jetuar në SHBA rreth një dekadë deri në kohën e sulmeve. Dzhokhar ka qenë shtetas amerikan, ndërsa Tamerlan ka pasur Kartën e Gjelbër.(v.tela)

Lexoni edhe këtë.
XS
SM
MD
LG