Ndërlidhjet

Dënimet e “buta” në trafik dhe ndikimi i tyre


Policia e Kosovës - foto nga arkivi
Policia e Kosovës - foto nga arkivi
Pjesëmarrësit në komunikacionin rrugor, ngasësit e automjeteve thonë së ju ka ndodhur shpesh që të bëjnë gabime dhe thyerje rregullash në komunikacion, por policia në raste ose i ka falur duke mos i dënuar, ose u ka shqiptuar një gjobë minimale.

Mirsad Morina nga Prishtina, thotë se i ka ndodhur të bëjë gabime dhe është liruar pa u gjobitur.

Po, na ndodh të bëjmë gabime, nganjëherë na gjobisin, ndonjëherë na tërheqin vërejtjen. Kemi marrë dënime dhe kemi pas raste kur na është tërhequr vetëm vërejta dhe na kanë falur, dhe nuk jemi dënuar”, thotë Morina.

Ngjashëm tregon edhe një ngasës tjetër i veturës, Milaim Halili.

Po, ka pasur raste që policia të ma falin. Një herë jam gjobitur se kam hyrë në vijë të plotë, kurse në një rast tjetër nuk e kam pasur patentë shoferin dhe jam lënë i lirë”, tregon Halili për Radion Evropa e Lirë.

Lëshimet e tilla a mund të ndikojnë në vetëdijesimin e qytetarëve?

Ekspertët e çështjeve të sigurisë, konsiderojnë së në asnjë rast Policia e Kosovës, njësia e trafikut, nuk duhet të shqiptojë dënime më të ulëta ose të bëjë lëshime për ata persona që shkelin ligjin e komunikacionit.

Sipas ekspertit Ramadan Qehaja, dënimet duhet të shqiptohen ashtu siç janë të parapara për shkelësit e rregullave të trafikut.

Nëse ka lëshime në këtë drejtim ose shqiptohen dënimet më të ulëta se sa që është dashur të shqiptohen për gabimin konkret, atëherë kjo nuk është mirë, sepse ne jemi duke folur çdo ditë se duhet një ligjshmëri në Kosovë që ligji të respektohet. Atëherë nuk e shoh të arsyeshme të bëhet një lëshim ndaj meje nëse unë e kam bërë një gabim, dhe ndaj tjetrit të mos bëhet lëshim për shkak të asaj se ky e ka atë funksion, e ka atë detyrë, apo e njeh dikush si figurë publike. Kjo nuk është mirë”, tha Qehaja.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës thonë se të gjithë zyrtarët policorë pa përjashtime, gjobat të cilat i shqiptojnë për ngasësit e automjeteve apo pjesëmarrësit e tjerë në komunikacionin, shqiptohen duke u bazuar në nenet e ligjit për komunikacionin rrugor.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani, thotë për Radion Evropa e Lirë, nëse një ngasës bën disa shkelje brenda një kohe të shkurtë në komunikacion, mund të ketë disa dënime, por edhe vërejtje.

“Kur ndonjë ngasës apo pjesëmarrës në komunikacion mund të ketë bërë dy, tri, apo më tepër kundërvajtje, dhe zyrtari policor në vendin e ngjarjes të shqiptojë ndonjë nga gjobat, ta themi, më të larta, apo edhe ndoshta të gjitha t’i adresoj për në gjykatë. Mirëpo, ka raste kur zyrtari policor vlerëson se në njërën nga kundërvajtjet ta kalojë me një vërejtje”, shprehet Kelani.

Kelani thotë se vërejtjet nuk mund të konsiderohen si lëshime, pasi që sipas tij, në shumë raste ato kanë dhënë efektin e tyre pozitiv.

“Vërejtjet nuk mund të llogariten si lëshime nga ana e policisë. Ka metoda të ndryshme që zyrtarët policorë përmes punës së tyre të arrijnë në sensibilizimin e gjithë pjesëmarrësve në komunikacion rrugor, që ka për qëllim ngritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e aksidenteve në përgjithësi, duke përfshi me theks të veçantë parandalimin e aksidenteve që mund të rezultojnë me pasoja fatale”, thekson Kelani.

Zyrtarët policorë kanë bërë të ditur se vetëm gjatë këtyre muajve të parë të këtij viti, në 28 aksidente në komunikacion kanë humbur jetën 31 persona.
XS
SM
MD
LG