Ndërlidhjet

Greqia kërkon ndërrimin e emrit të Maqedonisë


Fatmir Besimi dhe Dimitris Avramopulos
Fatmir Besimi dhe Dimitris Avramopulos
Greqia nuk do të ndryshojë qëndrimin në raport me integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, nëse nuk arrihet konsensus për një emër me përcaktim gjeografik për përdorim të përgjithshëm.

Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm i Greqisë, Dimitris Avramopulos, pas takimit që pati të mërkurën në Athinë, me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane të Maqedonisë, Fatmir Besimi.

“Duam të besojmë se do të mbisundojë konsensusi, maturia dhe logjika dhe do të gjendet një zgjidhje e përbashkët që bazohet në respektin e ndërsjellë historik dhe kulturor. Pozitat tona janë të njohura, pranimi i emrit me një përcaktim të qartë gjeografik që nuk do të linte hapësirë për politika irredentiste, apo për dilema në çështjet e ndjeshme që ndërlidhen me respektimin e historisë dhe kulturës”, ka deklaruar Avramopulos.

Nga ana tjetër, zëvendës-kryeministri i Maqedonisë, Fatmir Besimi, ka shprehur bindjen se dy vendet do të arrijnë të kapërcejnë këtë problem, nga zgjidhja e të cilit varet integrimi i mëtejmë i Maqedonisë në BE dhe NATO.

“Pres që çështja e emrit të zgjidhet sa më shpejt që të mund të ecim drejt perspektivës sonë evropiane, si dhe të dërgojmë sinjale pozitive për rajonin dhe të promovojmë optimizmin për integrimin evropian të Ballkanit. Ne jemi të vetëdijshëm se kemi sfida në këtë rrugë, por vetëm përmes respektimit të ndërsjellë, ndërtimit të besimit, mund të ecim përpara”, është shprehur Besimi.

Me vizitën në Athinë, Besimi ka vazhduar praktikën e takimeve të ministrave shqiptarë të BDI-së me autoritetet e larta greke. Një gjë e tillë nuk ndodh me ministrat maqedonas, të cilët ose refuzohen, apo realizojnë ndonjë takim, por vetëm në kuadër të ndonjë iniciative rajonale.

Maqedonia statusin e shtetit kandidat e ka marrë në vitin 2005, por bisedimet për anëtarësim janë bllokuar nga Greqia, e cila këtë e kushtëzon me ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë, pasi beson se me këtë emër ajo do të ketë pretendime territoriale ndaj rajonit verior të Greqisë që po ashtu mban emrin Maqedoni.(i.kadriu)
XS
SM
MD
LG