Ndërlidhjet

Pa vendim për paraburgimin e Kelmendit


Naser Kelmendi

Naser Kelmendi

Dëgjimi fillestar i mbajtur me kërkesë të prokurorit publik për caktimin e paraburgimit në rastin e Naser Kelmendit, ka përfunduar pa vendimin e gjykatësit për paraburgimin e tij të mëtejm.

Gjykata do ta sjellë vendimin sonte ose nesër pasi që afati prej 48 orësh paraburgim do të mbetet në fuqi deri të enjten në mbrëmje.

Prokurori në këtë rast Eric Larson ka kërkuar paraburgim prej 30 ditësh.

Mbrojtja ka propozuar që gjykata të refuzojë këtë kërkesë për shkak të mungesës së provave, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, avokati i Kelmendit, Osman Cucoviq.

“Prokuroria me kërkesën e saj për caktimin e paraburgimit ka transmetuar letrën e qeverisë së Bosnjes në të cilën kjo e fundit pohon se Kelmendi është kryes i disa veprave kriminale. Mirëpo, prokurori nuk ka pasur ansjë provë, fakt apo dëshmi materiale që t’ia dorëzojë gjykatësit ose mbrojtjes".

"Për t’u përcaktuar paraburgimi, prokurori duhet të sjellë disa prova. Ai nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe ne kemi propozuar, që gjykatësi të refuzojë kërkesën e tij si të pabazë dhe që zoti Kelmendi të lirohet menjëherë”, ka thënë Cucoviq.

Naser Kelmendi, shtetas i Bosnjë e Hercegovinës dhe i Kosovës, është arrestuar të dielën mbrëma në Prishtinë, në bazë të një fletarresti ndërkombëtar.

Meqenëse Kosova dhe Bosnja nuk kanë marrëveshje ekstradimi, EULEX-i po e ndjek rastin e Kelmendit duke e akuzuar atë për krim të organizuar.

Duke qenë se EULEX-i vepron në bazë të legjislacionit të Kosovës, ai nuk e ka mandatin që ta bëjë ekstradimin e ndonjë qytetari të Kosovës, ka bere me dije EULEX-i.
XS
SM
MD
LG