Ndërlidhjet

Hicks: Ndihma e kërkuar nuk erdhi në Bengazi


Gregory Hicks

Gregory Hicks

Zyrtarët e Departamentit Amerikan të Shtetit kanë shprehur shqetësim në lidhje me reagimin e administratës së Obamës ndaj sulmit të 11 shtatorit të vitit të kaluar në Bengazi të Libisë.

Ata bënë komentet në një seancë të Kongresit.

Tre zyrtarë, përfshirë ish-zëvendësshefin e misionit amerikan në Libi, Gregory Hicks, kanë dëshmuar para Komisionit të Mbarëvajtes në Dhomën e Përfaqësuesve.

Hicks shprehu zhgënjimin me vendimin e ushtrisë për të mohuar një kërkesë të ushtarëve të operacioneve speciale.

Sulmi dhe vrasja e ambasadorit amerikan në Libi tronditi vendin dhe zgjoi thirrje për një proces hetimor. Tetë muaj më pas, debatet dhe akuzat vazhdojnë.

Gregory Hicks tha para ligjvënësve se ishte kundërshtuar kërkesa për të sjellë me rrugë ajrore forca shtesë sigurie gjatë sulmit në Bengazi.

"Nuk iu dha autorizimi për të udhëtuar. Forcat e sigurisë qëndruan në Tripoli me ne”.

Ai tha se ishte informuar se mjetet fluturuese në Itali nuk mund të arrinin në kohë, duke e lënë me një ndjesi shqetësuese:

"Jemi vetëm. Duhet ta përballojmë situatën me burimet që kemi në Libi”.

Dëshmitarët gjithashtu shprehën shqetësimin për dështimin fillestar të administratës për t’i njohur sulmet si terrorizëm dhe rreth sjelljes së një paneli shqyrtues të pavarur.

Ambasadori amerikan Christopher Stevens dhe tre amerikanë të tjerë vdiqën në sulm.

Republikanët kanë akuzuar administratën e Obamës për fshehje dhe kanë vënë në shënjestër, Hillary Clintonin, ish-sekretaren amerikane të shtetit dhe kandidaten potenciale demokrate për presidente në vitin 2016.
XS
SM
MD
LG