Ndërlidhjet

Rruga e gjatë evropiane


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
“Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është po aq i rëndësishëm sa edhe vetë fakti i anëtarësimit në BE”, ka thënë të enjten, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, në manifestimin e quajtur “Panairi i fëmijëve”, me të cilin u shënua 9 Maji - Dita e Evropës në sheshin "Nëna Terezë" në Prishtinë.

Ministrja Çitaku ka shprehur bindjen se në momentin kur Kosova do të fillojë procesin, me negocimin për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, vendi do të vendoset në rrugën e gjatë, por siç ka thënë ajo, të pakthim, drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Do të jetë proces i gjatë. E rëndësishme është që ne të përqendrohemi në reforma, të përqendrohemi në kryerjen e detyrave të shtëpisë, si detyrim ndaj qytetarëve tanë, e jo si detyrim ndaj Komisionit Evropian. Integrimi nuk është qëllim në vetvete. Integrimi evropian është një proces i brendshëm transformimi, përmes së cilit, institucionet dhe shoqëria sendërtojnë vlerat dhe parimet evropiane”, ka theksuar Çitaku.

Ministrja Çitaku ka shtuar se Dita e Evropës, nuk duhet të shërbejë vetëm si një ditë pushimi për njerëzit që e shënojnë atë, por edhe si një moment reflektimi për të gjithë popujt e Ballkanit.

Vlora Çitaku
Vlora Çitaku
“Duhet të shërbejë si një moment reflektimi për atë ku kemi qenë, si Ballkan, në vitet '90 dhe ku jemi sot. Është vetëm ideja e integrimit në Bashkimin Evropian ajo që po e stimulon paqen, bashkë-ekzistencën dhe orientimin drejt së ardhmes”, ka shtuar Çitaku.

Për shënimin e Ditës së Evropës, janë organizuar një varg manifestimesh, për të rritur dhe për fëmijë.

Kolegji Universitar "ISPE", të enjten ka publikuar rezultatin e hulumtimit të opinionit publik me titull “Njohuritë e qytetarëve të Republikës së Kosovës rreth Bashkimit Evropian”. Siç thuhet në këtë publikim, rezultatet e sondazhit kanë treguar që qytetarët e Kosovës kanë njohuri të kënaqshme për Bashkimin Evropian.

Zhvillimi ekonomik i Kosovës, në opinionin kosovar, lidhet ngushtë me anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Ndërkaq, korrupsioni, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, institucionet jostabile, vetë Bashkimi Evropian dhe mosefikasiteti i institucioneve, janë disa nga arsyet që qytetarët dhe studentët në Kosovë, mendojnë se janë faktorët kryesorë pse Kosova ende nuk është pjesë e Bashkimit Evropian.

Blerta Begisholli, bashkë-prezantuese e hulumtimit, ka theksuar se një hulumtim i tillë nuk është bërë më parë në Kosovë

“Në këtë hulumtim që e kemi bërë ne, shumica prej gjetjeve tona kanë qenë befasuese, sepse qytetarët, në përgjithësi, kanë qenë të njohur me proceset e Bashkimit Evropian dhe kjo është një befasi për të mirë. Por, në njërën nga pyetjet, mund ta shihni se njohuritë nuk i kanë marrë nga mekanizmat që ofron Qeveria jonë për qytetarët, por, në fakt, nga mediat. Shumica prej tyre, sidomos moshat më të vjetra, i përcjellin lajmet dhe janë më në rrjedha me ngjarjet”, ka thënë Begisholli.

Njohësi i rrethanave integruese evropiane, Avni Mazreku, ka theksuar se hulumtimi i studentëve të Kolegjit Universitar "ISPE", vë në dukje se qytetarët janë mjaft mirë të informuar për performancat pozitive dhe negative, si dhe për politikat e ndryshme sektoriale që ndërlidhen me proceset integruese.

Megjithatë, ai ka theksuar se janë dy dimensione, ku mund të matet përparimi ose ngecja e Kosovës në drejtim të integrimit në Bashkimin Evropian.

Sipas Mazrekut, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian, e dekompozon avancimin normal të Kosovës në procesin integrues, pavarësisht përmbushjes së disa kritereve nga ana e Kosovës.

Dimensioni më i rëndësishëm, sipas Mazrekut, është puna dhe roli i institucioneve përgjegjëse në Kosovë dhe shkalla e lartë e korrupsionit.

“Prandaj, këto dy, mendoj se janë pengesat kryesore për ecjen normale të Kosovës në këtë proces. Prezenca e një shkalle të lartë të korrupsionit, ashtu siç e tregon edhe hulumtimi - qytetarët e Kosovës kanë një opinion në lidhje me këtë fenomen si problem që e pengon Kosovën në funksion të ecjes së saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe krimi i organizuar. Krejt këto, në fakt, mund të konvertohen në një artikulim tjetër, ndoshta, që mund të quhet si proces i sundimit të rendit dhe të ligjit”, ka vlerësuar Mazreku.

Ndryshe, në Ditën e Evropës, ka pasur edhe performanca, përmes së cilave janë shprehur pakënaqësitë për, siç është thënë, një qeverisje të keqe, rritje të korrupsionit dhe një ekonomie të dobët.

Performancën e tillë e ka organizuar Iniciativa për Progres, para objektit të Qeverisë së Kosovës. Iniciativa për Progres, po ashtu, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të hiqet nga festat zyrtare 9 Maji, Dita e Evropës.
XS
SM
MD
LG