Ndërlidhjet

A mund të parandaloheshin sulmet në Boston?


Sulmet e 15 prillit në Boston
Sulmet e 15 prillit në Boston
Shefi i Policisë së Bostonit ka thënë se departamentit të tij nuk i janë bërë me dije paralajmërimet e Rusisë në lidhje me sulmuesit e dyshuar të Maratonës së Bostonit.

Në një seancë dëgjimore të Kongresit amerikan, Edward Davis ka thënë se nuk ka pasur asnjë informacion për vëllezërit Tsarnaev, të cilët dyshohen se kanë kryer sulmet e 15 prillit, në të cilat kanë humbur jetën tre persona dhe janë plagosur mbi 260 të tjerë.

Nëse Policia e Bostonit do të informohej për militantin e dyshuar, Tamerlan Tsarnaev, oficerët do të bënin sigurisht përpjekje për të biseduar me të, ka thënë Davis.

Byroja Federale e Inteligjencës (FBI) ka mbyllur hetimet e saj fillestare për Tsarnaevin, duke i bërë një vlerësim rutinë të dyshuarit me prejardhje çeçene, pas paralajmërimit të Rusisë.

FBI dhe CIA, në vitin 2011, kanë marrë ndarazi paralajmërime nga Qeveria ruse, se Tamerlan Tsarnaev mund të ketë prirje militante islamike. Ai ka vizituar rajonin rus të Kaukazit Verior në vitin 2012.

Katër ditë pas sulmeve në Boston, Tamerlan Tsarnaev është vrarë nga të shtënat me policinë, ndërsa vëllai i tij, Dzhokhar, është arrestuar.

Dzhokhar Tsaranev mund të përballet me dënimin me vdekje nëse shpallet fajtor për kryerjen e sulmeve. Nëna e dy vëllezërve ka thënë se akuzat kundër tyre janë gënjeshtra.

Ish-senatori Joseph Lieberman ka thënë se “ka qenë e mundur të parandalohen sulmet, po qe se agjencitë amerikane do të komunikonin në mënyrë efektive”.

Lieberman, i cili ka bërë thirrje për forcimin e masave të sigurisë në SHBA pas sulmeve të 11 shtatorit, 2001, ka thënë:

“A mund të pengoheshin dhe ndaloheshin? Nga faktet që di unë për Bostonin dhe nga ajo që kam mësuar gjatë viteve për terrorizmin islamik, besoj se, edhe pse nuk do të ishte e lehtë, do të ishte e mundur të parandaloheshin sulmet terroriste në Boston”.

Kryesuesi i seancës, rebublikani Michael McCaul, ka shfaqur shqetësimin se aftësia e agjencive amerikane për të ndarë informacione nuk është përmirësuar mjaft për të mbrojtur amerikanët, me gjithë miliarda dollarët e shpenzuar që nga sulmet e 11 shtatorit.

“Frika ime është se sulmuesit e Bostonit kanë pasur sukses, sepse sistemi ynë ka dështuar. Ne mund dhe duhet të bëjmë më tepër. Po aq sheqetësuese janë edhe rrëfimet aktuale, të cilat minimizojnë përhapjen e lëvizjes xhihadiste globale”, ka thënë McCaul.

Shefi i Policisë së Bostonit, Edward Davis, ka theksuar se ngjarjet e mëdha publike në Shtetet e Bashkuara, të tilla si Maratona e Bostonit, kanë nevojë për siguri më të rreptë. Por, është shprehur kundër atij që ka cilësuar si “mentalitet të shtetit policor”

“Bostoni është një qytet ndërkombëtar dhe ne kemi përfitime të mëdha nga njerëzit që vijnë në Boston për shkollim, kujdes spitalor apo vetëm për të qenë pjesë e komunitetit tonë. Por, bota është një vend i rrezikshëm dhe ne duhet ta pranojmë këtë dhe të përgatitemi për këtë”, ka thënë Davis.

Në një tjetër zhvillim, autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se trupi i Tamerlan Tsarnaevit tashmë është varrosur. Por, ato nuk kanë bërë publik vendin e varrimit, nga frika se mund të bëhet një lokacion i shenjtë për ekstremistët apo i protestave për kundërshtarët. (v.tela)
XS
SM
MD
LG