Ndërlidhjet

Fuele: Plani i zbatimit, thelbësor


Fuele: Plani i zbatimit, thelbësor
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:31 0:00
Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fuele, ka thënë se si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën, është e një rëndësie thelbësore arritja e planit të zbatimit të Marrëveshjes së 19 prillit, ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

“Plani i zbatimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Është me rëndësi të veçantë për Beogradin, sepse ekzistojnë pritje nga vendet anëtare që në fund të qershorit të hapen negociatat për anëtarësim. Dhe, plani është vendimtar”, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë komisionari Fuele.

I pyetur nëse pas Marrëveshjes për Normalizim Raportesh pritet të ketë lëvizje për njohjen e Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë bërë këtë, Fuele në mënyrë indirekte është shprehur optimist.

“Kjo është një pyetje që duhet t’iu adresohet atyre pesë shteteve. Besoj se secili hap në këtë rrugë të normalizimit do të merret seriozisht nga këto pesë shtete, për ta mbështetur kështu më shumë aspiratën e Kosovës për në BE”, ka thënë Fuele.

Të mërkurën në Bruksel, ekipet e Prishtinës dhe të Beogradit nuk kanë arritur të pajtohen për planin e zbatimit të Marrëveshjes për Normalizimin e Raporteve. Palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për rezultatin negativ.

Zbatimi i marrëveshjes është kyç edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian. Serbia aktualisht është duke luftuar për datën e negociatave për anëtarësim në BE, cila i kushtëzohet pikërisht me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

I pyetur nëse ekziston ndonjë datë reale se kur Serbia mund të bëhet anëtare e bllokut evropian, Fuele ka thënë:

“Më pëlqen ky lloj parashikimi, por e vërteta është se unë nuk kam një top të kristaltë. Nëse shihni Kroacinë se sa i është dashur, 10 ose 11 vjet prejse ka paraqitur kërkesën për anëtarësim… atëherë, edhe kjo duhet të merret parasysh”.

Nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, Kosova është thënë se do të përfitonte Marrëveshjen për Stabilizim Asociim me Bashkimin Evropian. (v.t.)

XS
SM
MD
LG