Ndërlidhjet

logo-print

Presion shtesë për çështjen e emrit


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Deri në fillim të qershorit, Maqedonia dhe Greqia duhet përgjigjen nëse pranojnë ose jo propozimin e fundit të ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimic, për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Nga përgjigjet e tyre varet nëse do të ketë zhvillim pozitiv për Maqedoninë për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve me BE-në, në samitin që do të mbahet po në qershor.

Metju Nimic, edhe pse zyrtarisht nuk është publikuar, ka propozuar një emër me përcaktim gjeografik që do të jetë për përdorim të përgjithshëm-Republika Veriore e Maqedonisë.

Zyrtarët maqedonas vazhdojnë të heshtin lidhur me këtë çështje tani një kohë të gjatë, ndërkohë që në ofensivë diplomatike janë hedhur ministrat shqiptarë të BDI-së, duke kërkuar mbështetje, si nga SHBA-ja, ashtu edhe nga shtete të ndryshme të BE-së.

Nga BDI-ja kanë përjashtuar zërat për udhëheqje të politikës së dyfishtë nga partnerët qeveritarë.

“Vizitat nuk duhet interpretuar si presion, por si inkurajim dhe krijim të opinionit për zgjidhjen e kontestit me Greqinë. Ajo që tani pritet është që të tregojmë një lloj të përparimit para samitit të BE-së”, thonë zyrtarë nga BDI-ja.

Pas vizitës të zëvendëskryeministrit Fatmir Besimi në Athinë, mbrëmë në Nju Jork, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka biseduar me ndërmjetësin e OKB-së për çështjen e emrit, Metju Nimic.

“Këto angazhime të BDI-së i shoh si hap të parë, por edhe si provë nëse përfundimisht mund të ushtrohet presion ndaj zyrtarëve maqedonas të Qeverisë, në mënyrë që problemi të zgjidhet. Por, nëse nuk zgjidhet, unë pres ashpërsim të gjendjes politike në Maqedoni”, thotë Mersel Bilalli, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin Fon të Shkupit.

Ndryshe, pas vizitës së Besimit në Athinë, jozyrtarisht u bë e ditur se pala greke edhe në qershor do të mbajë pozicion të njëjtë në raport me integrimin e Maqedonisë, duke e kushtëzuar caktimin e datës për nisjen e bisedimeve me zgjidhjen e çështjes së emrit.

Vlladimir Bozhinovski, nga Instituti për Studime Politike, thotë se edhe sikur Maqedonia të pranojë propozimin e Nimicit, pala greke procesin integrues do ta kushtëzojë me çështje të tjera.

"Çfarë do të bëhet me çështjen e identitetit dhe me gjuhën? Këtu qëndron i gjithë problemi, duhet që të gjitha këto çështje të zgjidhet në pako dhe thjesht të kemi zgjidhje të përgjithshme që kontestet përfundimisht të mbyllen. Është fakt se Greqia nuk dëshiron mbylljen e kësaj çështjeje, por edhe Maqedonia duhet të tregojë kontrusktivitet dhe njëkohësisht këtë ta kërkojë edhe nga pala tjetër”, thotë Bozhinovski.

Javët në vijim, sipas analistëve, do të jenë shumë të rëndësishme për Maqedoninë.
Madje, analisti Albert Musliu konsideron se duhet të vazhdojë presioni ndërkombëtar dhe kjo vlen para së gjithash për Maqedoninë.

“Gjithsesi me qëndrime më të prera duhet t'ia bëjnë me dije edhe kryeministrit se është koha e fundit që kjo çështje duhet të zgjidhet, domethënë nuk është çështje që mund të improvizohet, apo të anashkalohet në periudhën që ka mbetur, por të sqarohet se zgjidhja e kësaj çështjeje është me interes të përgjithshëm dhe se nuk ka të bëjë me luftërat politike, të cilat kemi qenë dëshmitar se edhe viteve të fundit janë bërë me këtë çështje”, vlerëson Musliu.

Statusin e shtetit kandidat Maqedonia e ka marrë në vitin 2005, por rekomandimet e tre vjetëve të fundit për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, si dhe anëtarësimi në NATO, janë kushtëzuar nga Greqia me ndërrimin e emrit kushtetues të Maqedonisë për shkak të, siç thuhet, frikës se me këtë emër ajo do të kishte pretendime ndaj territorit verior të Greqisë që mban emrin Maqedoni.
XS
SM
MD
LG