Ndërlidhjet

logo-print
Barnat nëpër barnatoret e Kosovës, nuk kanë çmime të unifikuara. Kjo, sipas zyrtarëve institucionalë, ndodh për shkak se Kosova nuk e ka një rregullore administrative që do të mund ta rregullonte këtë çështje.

Ata thonë se laramania e çmimeve nëpër barnatore është evidente dhe një gjë e tillë ndodh për shkak të tregut të lirë që ekziston në Kosovë.

Një dukuri të tillë e pohojnë edhe farmacistët, të cilët thonë se ka dallime të çmimeve të barnave varësisht nga barnatorja. Njëra nga to është Natyra Kastrati, e cila thotë për Radion Evropa e Lirë se për shkak të tregut të lirë, çmimet dallojnë shumë nëpër barnatore.

"Ka shumë ankesa nga pacientët për shkak të çmimeve, për shkak se diku rastisin t’i blejnë më lirë, derisa kur hasin në barna të njëjta me çmime më të larta, ankohen. Ka shumë dallime në çmime, për shkak të tregut të lirë të barnave", thotë Kastrati.

Edhe vetë pacientët flasin për çmimet e barnave, sipas të cilëve shpeshherë u ka ndodhur që të paguajnë çmimet pesëfish më të larta të barnave, derisa kanë rastisur në një tjetër barnatore të blejnë të njëjtin bar me çmim shumë më të ulët.

Kjo i kishte ndodhur edhe Adelina Malës, e cila na tregon më shumë:

"Çmimet nëpër barnatore dallojnë shumë, dhe ç’është më e keqja barnatoret që gjenden ngjitur njëra-tjetrës çmimet i kanë me dallime shumë të mëdha. Unë kërkoja ilaçin Bromergan dhe kam paguar 4 euro e 50 centë. Por në barnatoren ngjitas ku e bleva ilaçin, të njëjtin e gjeta me çmim 2 euro e 80 centë. Ç’është më e keqja, ky që kushtonte 4.50 euro ishte pa përshkrim në gjuhën shqipe, derisa kjo më e lira e kishte edhe përshkrimin në gjuhën shqipe prandaj e bleva edhe këtë, sepse që konsideroj se ishte shumë me rëndësi për mua si paciente ta lexoja udhëzimin në shqip, përpos çmimit më të lirë".

E, Ilir Dushi, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë për Barna dhe Pajisje Medicinale, në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë, bën të ditur se brenda disa javësh do të nënshkruhet Rregullorja administrative, që do ta rregullojë çështjen e çmimeve të barnave.

"Ka filluar puna për rregulloren e udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimeve. Tashmë është dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe presim që brenda disa javësh të nënshkruhet dhe të hyjë në fuqi. Me nënshkrimin e kësaj rregulloreje, do të rregullohen çmimet dhe do të jetë çmime referente rajonale", bën të ditur Dushi.

Ndërkaq, Besim Muzaqi, kryetar i Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës, thotë se laramania e çmimeve e destabilizon tregun farmaceutik, andaj sipas tij, kjo çështje duhet rregulluar sa më shpejtë.

"Qysh prej ardhjes së kryeshefit, është formuar një grup punues dhe është bërë një draft i udhëzimit administrativ, për unifikimin e çmimit të barnave. Por, qe një vit nuk është nënshkruar. Dhe, kjo ka mbetur peng i mosfunksionimit si duhet i Ministrisë së Shëndetësisë dhe AKPM së. Ne kemi punuar dhe kemi dhënë kontributin tonë, dhe unifikimi i çmimeve do të ishte një parakusht për stabilizimin e tregut farmaceutik", thekson Muzaqi.

Sidoqoftë, mbetet të shihet se a do të nënshkruhet nga Ministria e Shëndetësisë udhëzimi administrativ, i cili do të rregullojë dhe unifikojë çmimet nëpër barnatore.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG