Ndërlidhjet

Sanfey: Kosova vuan nga mungesa e investimeve


Peter Sanfey
Peter Sanfey

Sipas gjetjeve të fundit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Kosova, në vitin 2012, ka shënuar rritjen më të madhe ekonomike në Evropën Juglindore, përkatësisht 2.5 për qind. Parashikimet për këtë vit dhe për vitin e ardhshëm janë po ashtu pozitive. Por, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ekonomisti i BERZH-it, Peter Sanfey, thotë se Kosova vuan nga mungesa e investimeve të huaja. Për tërheqjen e tyre, ajo duhet të punojë fuqishëm në ndërtimin e institucioneve dhe të përmirësojë ambientin biznesor, thotë Sanfey.



RADIO EVROPA E LIRË
Perspektivat e fundit ekonomike të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim tregojnë se Kosova, në vitin 2012, ka shënuar rritjen më të madhe ekonomike në Evropën Juglindore, por ajo vazhdon të mbetet vendi më i varfër në rajon. Si mund të zgjidhet kjo situatë, çfarë duhet bërë?

PETER SANFEY
Është një pyetje e vështirë, sepse ka shumë gjëra që duhen bërë. Fillimisht, do të thosha se është inkurajuese rritja ekonomike në Kosovë. Kemi publikuar edhe parashikimet për vitet 2013 dhe 2014 dhe presim që Kosova të jetë vendi me rritjen më të shpejtë, në këtë vit dhe në vitin e ardhshëm. Parashohim rritje për 3 për qind më 2013 dhe 3.5 për qind më 2014.

Por, duhet të shihet edhe në kontekstin e varfërisë, papunësisë së lartë… Çështja më urgjente është tërheqja e më shumë investimeve. Kosova ka vuajtur në dekadat e fundit nga mungesa e investimeve. Kur nuk keni investime, do të thotë se nuk mund të keni rritje të madhe.

Pra, tërheqja e investimeve është prioritet i lartë. Për një gjë të tillë, Kosova duhet të punojë fuqishëm në ndërtimin e institucioneve dhe të përmirësojë ambientin biznesor.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, BERZH-i po ashtu ka konstatuar se ambienti biznesor i Kosovës është duke u përmirësuar. Megjithatë, mungojnë investimet e huaja. Ku mendoni se është problemi?

PETER SANFEY
Për një ambient të mirë biznesor, para së gjithash, duhen institucione cilësore, kornizë stabile ligjore, strukturë makroekonomike. Duhen institucione që funksionojnë. Mendoj se në Kosovë është shënuar përparim në vitet e fundit. Edhe në analizën e Bankës Botërore “Të bërit biznes” dhe të institucioneve të tjera, thuhet se Kosova duhet të lëvizë përpara. Por, nuk mund të thuhet se është vetëm një problem, është kombinim i problemeve që janë krijuar me vite. Kërkohet përkushtim për përmirësim gjatë vitit të ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ka ndikuar në Kosovë kriza ekonomike e Eurozonës, edhe pse Kosova nuk është pjesë e këtij mekanizmi?

PETER SANFEY
Mendoj se Kosova ka qenë më pak e prekur në krahasim me vendet e tjera. Por, normalisht që do të ndikohet nga ajo që ndodh në Evropë.

Ndikimi mund të vërehet te dërgesat e parave nga jashtë. Kosova mbështetet bukur shumë në paratë e kosovarëve që punojnë jashtë vendit. Dërgimi i parave po bëhet më i vështirë për këta njerëz, për shkak të rrethanave të vështira ekonomike në vendet ku jetojnë. Këto janë sfidat kryesore që prekin Kosovën.

Por, në përgjithësi, Kosova varet nga investimet. Ajo mund të tërheqë investime nga kudo, por do të ishte premtuese të ishin nga Evropa. Për momentin, ekonomia e Evropës është e kufizuar. Është shumë me rëndësi që apetitet për investime të kthehen në Evropë dhe disa prej tyre do t’i nënvizojnë rrethanat në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjithnjë sipas BERZH-it, vendet e Evropës Juglindore mbeten të ndjeshme ndaj dobësive në Eurozonë. Banka gjithashtu thotë se këto vende duhet të mbështeten më shumë në reforma dhe jo në dërgesat e parave nga jashtë. Çfarë hapash duhet të ndërmerren?

PETER SANFEY
E përsëris, reformat e mëtejshme duhet të jenë një projekt afatgjatë. Unë mendoj se një nga mësimet e krizës së fundit globale, është që një numër i reformave duhet të zbatohen, por nuk janë zbatuar për shkak se njerëzit mendonin se çdo gjë po shkon në rregull dhe se ekonomia po lëvizte me shpejtësi. Reformat afatgjate duhet të përmirësojnë institucionet publike, sepse sistemi ligjor, funksionimi i gjyqësorit është problem i madh në secilin vend të Evropës Juglindore.

Së dyti, duhet përmirësuar klima biznesore. Nëse lehtësohet tregtia ndërkufitare, mendoj se do të ishte një potencial i madh për zhvillimin e eksportit në rajon. Së treti, do të thosha infrastruktura. Ka zona të mëdha ku duhen përmirësime. Cilësia e infrastrukturës, rrugët, rrjetet energjetike janë duke u përmirësuar, por është një proces i ngadaltë. Duhet të shohim më shumë përmirësime që të jenë më tërheqëse për investitorët e huaj.
XS
SM
MD
LG