Ndërlidhjet

logo-print
Nuk mund ndihemi evropianë, ndoshta për faktin që kurrë nuk kemi pasur mundësi të shkojmë në vendet evropiane për të parë ngjashmëritë apo dallimet që mund të jenë ndërmjet të rinjve që jetojnë në ato vende evropiane dhe të rinjve në Kosovë.

Kështu përgjigjen shumë të rinj në Kosovë, kur pyeten se a ndihen se i përkasin familjes evropiane.

Në rubrikën e përjavshme VOX, të Radios Evropa e Lirë, shumë prej tyre tregojnë se ndihen të diskriminuar karshi të rinjve të vendeve të rajonit e më gjerë.

Thonë se ndihen të izoluar dhe se kanë nevojë dhe dëshirojnë të udhëtojnë kudo në botë, pa pasur nevojë për viza, e jo vetëm në katër shtete. Konsiderojnë se janë pjesë e Evropës, por ndihen se janë shumë larg saj.



Lulzim Halili është 21 vjeç nga Prishtina. Gjithçka që di për Evropën, e ka mësuar nga televizori apo interneti. Ai asnjëherë nuk ka udhëtuar drejt ndonjë vendi evropian.

“Jemi pjesë jashtë Evropës. Nuk kemi viza, nuk kemi gati asgjë çfarë mund të ketë një vend evropian. Nuk ka organizim të duhur institucional që të rregullohen gjërat që edhe ne, si të rinj, të ndihemi evropianë, mungojnë shumë gjëra”, thotë Lulzimi.

Republika e Kosovës, si një shtet i ri evropian, me banorët e saj të njohur si evropianët më të rinj, vazhdimisht nga udhëheqësit e institucioneve të vendit ishte cilësuar se është e gatshme të luajë rolin e saj si një vend që di të marrë përsipër përgjegjësitë e veta.

Këto deklarata të vazhdueshme të zyrtarëve qeveritarë të rinjtë i quajnë retorika boshe që asnjëherë nuk u jetësuan.

Valoni është student i Fakultetit Ekonomik. Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë ngecur në përmbushjen e shumë kritereve për të qenë pjesë e familjes evropiane dhe si të tillë të rinjtë e Kosovës, shton ai, kanë mbetur të izoluar.

“Nuk i kemi plotësuar të gjitha kushtet që të jemi evropianë. Kemi shumë fusha ku duhet të punohet më shumë. Ka rregulla për të qenë pjesë e Evropës, duhet punë”, shton Valoni.

Ngjashëm mendon edhe Nita Ndrecaj:

“Nuk ndihem si evropiane. Jemi shume larg Evropës. Kemi shumë fusha ku nuk kemi ecur përpara”.

Derisa vendet e rajonit kanë nënshkruar marrëveshjen për Stabilizim-Asociim dhe kanë hequr vizat me Bashkimin Evropian, Kosova ende nuk ka filluar negociatat për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Aktualisht, vendi është duke pritur nga Bashkimi Evropian që më 25 qershor të këtij viti t'i i jep dritën jeshile për fillimin e negociatave. Fillimi i negociatave konsiderohet të jetë hapi i parë, me të cilin Kosova hyn në një proces të vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me BE-në.

Ndërsa, sa i përket liberalizmit të vizave, Komisioni Evropian i ka dorëzuar Kosovës udhërrëfyesin për vizat më 14 qershor të vitit 2012. Por, që deri më tani, thuhet se Kosova nuk ka përmbushur kriteret që qytetarët e saj të udhëtojnë pa viza.

Në raportin e fundit, Komisioni Evropian i kërkon Kosovës që të bëjë hapa konkret në luftimin e dukurive negative në mënyrë që të ecë drejt liberalizimit.

Po ashtu, aty përmendet si pengesë në këtë proces edhe migrimi ilegal, reformat në drejtësi dhe çështje tjera që ndërlidhen edhe me legjislacionin.

Shteti i Kosovës mund ta ketë flamurin e vet, himnin kombëtar dhe pasaportat , por jo të jetë shtet evropian, thotë Leutrimi.

Ndoshta i takojmë në një përqindje Evropës, por jemi shumë larg në disa fusha. Gjeografikisht jemi në Evropë, por jo evropianë. Nuk kemi arritur t'i plotësojmë kriteret që na janë përcaktuar”, thotë Leotrimi.

Ajo se çfarë i dallon të rinjtë e Kosovës me të rinjtë e shteteve evropiane, sipas Diana Gashit, është edhe shkollimi dhe kushtet e jetesës. Ajo thotë se sistemi arsimor në Kosovë është shumë larg edukimit që kanë vendet tjera evropiane, derisa sa i përket punësimit, siç thekson ajo, është shumë më lehtë në vendet evropiane.

“Shumë gjëra mungojnë në Kosovë. Evropa ka shumë gjëra që ne nuk i kemi. P.sh edukimi, pastaj të rinjtë në Kosovë, shumica janë të papunë derisa në Evropë papunësia nuk është në shkallë shumë të lartë si te ne. Kushtet atje janë më të mira”, konsideron Diana.

Derisa, Vjosa Kaçaniku shprehet optimiste se në një të ardhme të afërt të rinjtë e Kosovës mund ta konsiderojnë veten evropianë, por që aktualisht thekson ajo, jemi larg.

“Jemi larg Evropës, nuk kemi kushte për t'u konsideruar evropianë, megjithatë shpresoj se do të bëhet mirë”, shprehet Vjosa.

Ndryshe, nga Vjosa e Diana, mendon Melihate Kastrati. Ajo thotë se ndihet evropiane, pavarësisht shumë gjërave që i kanë të rinjtë në Evropë e që nuk janë në Kosovë.

“Ndihem si evropiane. Ka disa kushte që duhet të plotësohen, por shumë prej këtyre kushteve ne i kemi plotësuar. Me realizmin e disa kritereve që i cakton BE-ja, ne do të jem pjesë e Evropës”, mendon Melihatja.

Ngjashëm shprehet edhe Lulzim Muholli:

“I takojmë Evropës, plotësisht i kur i takojmë territorit evropianë mund të themi se ndihemi evropianë, mirëpo pa integrim evropian nuk mund të themi me plot fjalën se ndihemi evropianë. Na mungojnë disa gjëra. Në fakultetet tona mungojnë disa fusha të studimeve që do të dëshironim t'i studionim”.

Ndërkaq, Liridona Tahiri konsideron se të rinjtë e Kosovës nuk mund të krahasohen me ata të rinj që jetojnë në vendet evropiane. Kushtet, në të cilat jetojnë ata, thotë Liridona, nuk krahasohen me kushtet e të rinjve në Kosovë

“Jetën dhe kushte e jetesës i kanë më të mira, janë më të integruar. Kanë mundësinë e lëvizjes së lirë. Kanë edukim më të mirë. Në të gjitha këto fusha ne jemi shumë mbrapa”, thotë Liridona.

Kosova më 9 maj shënoi Ditën e Evropës. Në këtë ditë në Kosovë ka pasur performanca, përmes së cilave janë shprehur pakënaqësitë për, siç është thënë, një qeverisje të keqe, rritje të korrupsionit dhe një ekonomie të dobët, e që sipas organizatorëve, janë probleme kyçe që Kosovën po e pengojnë në rrugën drejt integrimit evropian.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG