Ndërlidhjet

Sharifi do të ketë raporte normale me SHBA-të


Nawaz Sharif
Nawaz Sharif
Partia e ish kryeministrit, Nawaz Sharif, po del fituese në zgjedhjet e së shtunës, sipas rezultateve zyrtare të pjesshme të publikuara të hënën në internet nga Komisioni Zgjedhor i Pakistanit.

Partia e tij, Lidhja Myslimane e Pakistanit – Nawaz (PML-N), ka fituar 89 prej gjithsej 158 vendeve sa janë numëruar deri tash, ndërsa në total duhet të kalkulohen 269 vende në parlament.

Partia Thereek-e-Insaf (PTI) e ish-yllit të sportit të kriketit, Imran Khan, i ka 21 ulëse, ndërsa ish partia në qeveri, Partia Popullore e Pakistanit (PPP) radhitet e treta me vetëm 18 përfaqësues në parlament.

Vendet e tjera nga 158 të kalkuluara i kanë fituar partitë e vogla dhe kandidatët e pavarur. Fillimisht parashihej gara për 272 vende, por zgjedhjet për 3 vende janë shtyrë për shkaqe të ndryshme.

Gazeta e përditshme pakistaneze Dawn ka dhënë rezultate të tjera, që në vendin e parë e vendosin partinë e Nawaz Sharifit, por në vendin e dytë është PPP, ndërsa në të tretin partia e Imran Khanit.

Gazeta thotë se i ka burimet e veta të informacionit.

Nga ana tjetër, Misioni monitorues i Bashkimit Evropian, ka vlerësuar se dhuna gjatë fushatës zgjedhore dhe në ditën e zgjedhjeve ishte “e tmerrshme, por nuk duhet t’u hedhë hije të arriturave të procesit” të zgjedhjeve.

Mëtutje, anëtari i Parlamentit Evropian, Richard Howit, në një konferencë për shtyp në Islamabad, theksoi se “pjesëmarrja në zgjedhje ishte kundërshtim i kërcënimeve kundër procesit dhe paraqet votim të jashtëzakonshëm të besimit në demokraci”.

Pra, sipas të gjitha gjasave, lideri i Lidhjes Myslimane të Pakistanit, Nawaz Sharif, do ta formoj qeverinë e re.

Gjatë fjalimit të tij triumfues në Lahore ai ka kërkuar bashkëpunim në mesin e forcave politike në Pakistan, për t’i luftuar problemet e shumta.

“Për të mirën e kombit, për të mirën e juaj, për të mirën e 180 milionë njerëzve në Pakistan, dhe me qëllim që ta ndalim këtë kurs të ndërprerjeve të rrymës, inflacionit dhe papunësisë, unë do t’i lus rivalët tanë, që të vijnë dhe të ulen me ne”, tha Nawaz Sharif, në fjalimin e tij.

Gazetari dhe shkrimtari nga Islamabadi, Zahid Hussain, thotë se pasi të bëhet kryeministër, zoti Sharif, me gjasë, do ta forcoj raportin bashkëpunues me Uashingtonin dhe do të konfrontohet me dhunën talibane, me gjithë deklaratat e tij të mëparshme se do ta tërheq Pakistanin nga lufta kundër terrorizmit.

“Mendoj se do të jetë raport normal. Nuk shoh asnjë ndryshim madhor në politikën e jashtme të Pakistanit nën zotin Sharif, ndaj Shteteve të Bashkuara. Në periudhën 1993 – 1998, kur Sharif ishte kryeministër, ai ishte bashkëpunues me Uashingtonin. Kanë ekzistuar disa lloje të keqkuptimeve, por dyshoj shumë se do të ketë ndonjë ndryshim madhor në politikën e Pakistanit ndaj Shteteve të Bashkuara”, thotë gazetari Zahid Hussain.

Sipas tij, zoti Sharif nuk do ta ketë fjalën përfundimtare në politikën e Pakistanit ndaj Afganistanit, pasi “aktualisht ushtria do të vazhdoj ta udhëheq këtë politikë me pajtueshmërinë e qeverisë”.

Ish ambasadori pakistanez në Uashignton, Tariq Fatmi, thotë se administrata e zotit Sharif, me gjasë, do ta mbështesë procesin paqësor në vend.

“Për Afganistanin janë pak gjëra që janë të njohura për Sharifin. Para se gjithash, ai beson se çfarëdo procesi paqësor në Afganistan, që do të ketë gjasë për sukses, duhet të udhëhiqet nga Afganët”, tha Tariq Fatmi.

Nawaz Sharif, 63 vjeçar, është biznesmen i pasur nga provinca Punxhab. Ai ishte politikan udhëheqës për vite të tëra në Pakistan, së bashku me Partinë Popullore të Pakistanit, që tash kryesohet nga presidenti aktual, Asif Ali Zardari, dhe dikur nga ish-kryeministrja e vrarë, Benazir Bhutto.

Zoti Sharif ishte në pushtet kur Pakistani e testoi armatimin e parë atomik, në vitin 1998. Ai ishte përmbysur nga ushtria, e udhëhequr nga komandanti i atëhershëm i saj, Pervez Musharraf, në vitin 1999.

Prej kësaj kohe ai i kishte kaluar disa vite në ekzil në Arabinë Saudite, ndërsa në Pakistan është kthyer në vitin 2007.(f. bujupi)
XS
SM
MD
LG