Ndërlidhjet

logo-print

WSJ: Një agjendë britaniko-amerikane për taksat dhe tregtinë


Britania dhe Amerika kanë një histori madhështore të bashkëpunimit në përballimin e sfidave. Partneriteti ynë është pa precedent, i rrënjosur në vlerat tona të lirisë. Ai avancon jo vetëm interesat britanikë dhe amerikanë, por edhe të njerëzve në mbarë botën. Sot, sfida jonë më e madhe është të rikthejmë rritjen e fortë dhe të qëndrueshme të ekonomisë së botës.

Me këtë hyrje nis shkrimin autorial për gazetën Wall Street Journal kryeministri i Britanisë, David Cameron.

Kur kohët janë të vështira, vijon ai, disa duan të vënë barriera dhe të mbrojnë veten e tyre nga bota. Por, Britania dhe Amerika kanë qëllime të mira. Ne kemi një mundësi të çmuar për të transformuar ekonominë globale dhe duhet të bëjmë çdo gjë të mundur për të kapur momentin, shkruan Cameron.

Tregtia nuk është një lojë, ku suksesi i një vendi është dështim i tjetrit. Tregtia e bën tortën më të madhe, kështu që të gjithë mund të përfitojnë. Kini parasysh zonën e tregtisë së lirë midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, për të cilën shpresojmë të nisim negociatat kur presidenti Barack Obama, muajin e ardhshëm, të jetë në Irlandën e Veriut për samitin e G8-ës.

Kjo marrëveshje mund të shtojë 10 miliardë funta në ekonominë britanike dhe 63 miliardë të tjera në atë amerikane. Por, edhe pjesa tjetër e botës do të përfitojë po ashtu, me fitimet që mund të gjenerojnë 100 miliardë euro në mbarë globin.

Kjo është arsyeja përse pesë javët e ardhshme janë shumë të rëndësihme. Shumë shpesh në tregti, zërat që mbrojnë interesa të veçantë, janë më të lartit. Por, nuk ka kuptim që të përjashtohen pjesët vitale të ekonomisë. Çdo gjë duhet të jetë në tryezë.

Ne duhet të trajtojmë çështje vërtet të vështira rregullatore, në mënyrë që një produkt i miratuar në njërën anë të Atlantikut të mund të hyjë menjëherë në anën tjetër. Ne vetëm do të korrim përfitime nëse mbajmë ambicie të larta, shkruan Cameron.

Sipas tij, një marrëveshje ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara është vetëm një bllok i një ekonomie më dinamike botërore. Nëse vendet e G8-ës plotësojnë të gjitha marrëveshjet e tyre tregtare edhe ato për gazsjellësit, mund të rrisin të ardhurat e gjithë botës për më shumë se një trilion dollarë.

Tregtia midis vendeve në zhvillim është duke u rritur po ashtu. Një Afrikë që bën tregti, do të jetë luan i rritjes globale. Por, një kamion i vetëm duhet të plotësojë 1,000 dokumente vetëm për të udhëtuar midis shteteve të Komunitetit për Zhvillim të Afrikës së Jugut.

Pra, do të fitonim një çmim të madh nëse do të zhduknim burokracinë tregtare. Një marrëveshje për të bërë këtë në konferencën e Organizatës Botërore të Tregtisë, në muajin dhjetor në Bali, do të kishte vlerë prej 70 miliardë dollarësh në ekonominë globale.

Por, ekonomia e lirë botërore do edhe rregulla të qëndrueshme dhe të drejta. Kur vendet të hapen për tregti ndërkufitare dhe zinxhirë globalë të furnizimit, ata duhet të dinë se do të shohin përfitime. Andaj, neve na duhen rregulla globale që parandalojnë evazionin fiskal dhe shmangien agresive të taksave.

Po ashtu duhet të sigurohemi se pasuria minerale në vendet në zhvillim sjell të mira dhe jo të këqija. Është turp për gjithë botën që mungesa e transparencës ka bërë që tregtia e paligjshme e diamanteve të shkaktojë konflikte në Siera Leone dhe Liberi. Sot, ne kemi për detyrë që të sigurohemi se pasuria e burimeve nuk shkakton konflikte, korrupsion dhe krime, shkruan kryeministri britanik.

Pra, në samitin e e G8-ës në Irlandën e Veriut unë do të bëj thirrje për taksa të drejta, transparencë më të madhe dhe tregti më të hapur, thotë Cameron.

Ne duhet të luftojmë kamxhikun e evazionit tatimor duke promovuar një standard të ri global për shkëmbimin automatik të informatave midis autoriteteve tatimore. Ne duhet të trajtojmë shmangien agresive të taksave duke inkurajuar raportim më të mirë global tek autoritetet tatimore, edhe në botën e zhvilluar, edhe në botën në zhvillim.

G8-ta duhet të lëvizë drejt një standardi të përbashkët global, në mënyrë që kompanitë të raportojnë të gjitha pagesat ndaj qeverive dhe qeveritë të rapotojnë për këto të hyra. Kjo do të inkurajonte më shumë investime në vendet e pasura dhe do të rrafshonte fushën e lojës për biznes.

Kjo është agjendë pro biznesit dhe pro zhvillimit, shkruan Cameron në Wall Street Journal.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG