Ndërlidhjet

Kosova larg rajonit - Ofertat për investitorët e huaj


ilustrim
ilustrim
Kosova vazhdon të vuajë nga mungesa e investimeve të huaja, çka po ndikon edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, rrjedhimisht në pamundësi të uljes se shkallës së papunësisë dhe varfërisë, thonë ekspertët për çështje ekonomike.

Ata shprehin shqetësimin se në rajon, ka filluar një “luftë” për tërheqjen e investitorëve të huajë, e në këtë rrafsh, sipas tyre, vendet fqinje kanë avancuar ofertat për tërheqjen e kapitalit të huaj.

Berat Rukiqi, sekretar i përgjithshëm në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se ekzekutivi i vendit, duhet të fokusohet në dy politika ekonomike sa i përket tërheqjes se interesimit të investitorëve të huajë.

“E para është siguria juridike për investitorët dhe elementi i dytë lidhet drejtpërdrejt me aspektin e sigurimit të stimulimit financiar dhe fiskal që kanë ofruar vendet e rajonit, dhe ne ende nuk kemi arritur që të ofrojmë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Kosova ka ofertë të limituar sa i përket tërheqjes se investitorëve ndërkombëtarë, thotë edhe Lekë Musa, nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë.
Ai shprehet se autoritetet kompetente duhet të shqyrtojnë mundësitë që ofrojnë shtetet e rajonit.

Musa, thekson se mungesa e një hapësire për të filluar investimet, është problemi kryesor më të cilin përballet çdo investitorë potencial në Kosovë.

“Do të ishte shumë mirë në rast se qeveria do të mund t’i ofronte pa pagesë apo me një kompensim modest investitorëve - hapësirat ku ata do të mund të fillonin procesin e prodhimit. E kjo, më pas do duhej të kushtëzohet më vende të reja të punës".

"Pastaj vendet e rajonit, kryesisht ofrojnë stimulime në numrin e të punësuarve, ku për çdo të punësuar qeveritë subvencionojnë këto vende të punës, duke i zvogëluar tatimet kundrejt numrit të punësuarve”, shprehet Musa.

Kosova ka ngecje në ambientin e të bërit biznes, karshi vendeve të rajonit, thotë Berat Rukiqi.

Ai përmend se si vendet fqinje për një periudhë të caktuar, investitorët e huaj , i liron nga pagimi i taksave.

“Te çështja e stimulimeve financiare dhe fiskale, që është një çështje që është ngritë që tre vjet, nuk ka asnjë iniciativë të vetme. Prandaj, besoj se në këtë drejtim, mbetet ende për t'u bërë. Pastaj, është edhe çështja e sigurisë juridike, që lidhet me zbatimin e kontratave, lidhet më sistemin, gjyqësor, çështjet pronësore. Këto kërkojnë një përgjigje më të shpejtë, jo vetëm në dobi të investitorëve të huajë, por edhe për investitorët e brendshëm”, thekson Rukiqi.

Sipas BQK-së, brenda 12 vjetëve të fundit (2000-2012) investimet e huaja direkte në Kosovë kapin shifrën rreth 2.4 miliardë euro.

Vetëm në nëntë mujorin e vitit të kaluar, shuma e investimeve të huaja ka qenë 178.5 milionë euro, apo siç është thënë, 50 për qind më pak se në vitin 2011, kur vlera e investimeve ka qenë 378 milionë euro.
XS
SM
MD
LG