Ndërlidhjet

logo-print

Njohja nga Egjipti - çështje ditësh


Flamuri i Egjiptit

Flamuri i Egjiptit

Egjipti është në prag të marrjes së vendimit për njohjen e shtetit të Kosovës, ka konfirmuar gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, kryetari i Këshillit Egjiptian për Çështje të Jashtme, Mohamed Ibrahim Mahmoud Shaker.

Pas një takimi që zhvilloi me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, Shaker ka deklaruar se shteti i tij mund ta njoh Kosovën së shpejti dhe se këtë gatishmëri tashmë ia ka transmetuar edhe kryeministri egjiptian homologut të tij në Prishtinë, Hashim Thaçi.

“Besoj që shumë shpejt madje në çdo moment pritet njohja e Kosovës nga Egjipti dhe kjo duke u bazuar në vetë deklaratat e kryeministrit të Egjiptit në takim me kryeministrin Thaçi në Turqi vetëm pak ditë më parë”, ka deklaruar Shaker.

Ambasadori egjiptian ka thënë po ashtu se shtetet arabe dhe ato islamike nuk kanë asnjë arsye që të mos e njohin Kosovën, duke shtuar se pas njohjes së Egjiptit pritet të ketë lëvizje në këtë drejtim.

“Nuk besoj që shtetet islamike kundërshtojnë fuqishëm dhe rezistojnë pavarësisë së Kosovës. Ne jemi të bindur që njohjet nga shtetet islame do të vijnë ngaqë shumica prej tyre e konsiderojnë Kosovën si një vend me shumicë islame. Por, kjo, mbase është çështje kohe. Besojmë se pas njohjes nga Egjipti do të vijojnë edhe njohje të tjera nga vendet afrikane, arabe e islame”, është shprehur Mohamed Shaker.

Njohja nga Egjipti, në Prishtinë konsiderohet si një kthesë në procesin e krijimit të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Ky vend, konsiderohet një nga shtetit me më shumë ndikim në botën arabe dhe islame.

Andaj, pritjet në Prishtinë janë se me njohjen nga Egjipti do të hapen rrugët edhe për njohje të reja.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka deklaruar se pas arritjes së marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën nuk kanë më asnjë arsye që të ngurojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

“Pas asaj që Serbia me këtë marrëveshje e ka pranuar sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës, kushtetutën dhe institucionet e Kosovës, më nuk shohim asnjë arsye politike apo argument juridik, që Egjipti apo shtetet tjera ta shtyjnë njohjen e Republikës së Kosovës dhe ne shpresojmë që një vendim i tillë do të merret së shpejti apo në ditët e ardhshme”, është shprehur ministri Hoxhaj.

Gjatë kësaj vizite, Mohamed Shaker është pritur edhe nga kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi si dhe ka marrë pjesë edhe në një debat ku ka folur për rolin e Egjiptit dhe bashkëpunimin e këtij vendi me Kosovën.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG