Ndërlidhjet

OKB inkurajon shoqëritë perëndimore të hanë insekte

  • Heather Maher

Janë mbi dy milionë njerëz në mbarë botën, shumica e tyre në Azi dhe Afrikë, të cilët hanë insekte në kuadër të dietave të tyre të rregullta.

Një raport i Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi të Kombeve të Bashkuara (FAO) thotë se shoqëritë perëndimore duhet të heqin “neverinë” ndaj kësaj ideje.

Grerëzat, bletët, brumbujt, milingonat, karkalecat janë të pasur me proteina dhe kanë pak ndikim mjedisor, krahasuar me kafshët tjera, të cilat janë burime të ushqimeve, thotë raporti i titulluar: “Insektet e ngrënshme: perspektivat e ardhshme për ushqim dhe siguri ushqimore”.

Sipas raportit, kultivimi i insekteve mund të adresojë mungesat e ushqimeve edhe për njerëzit, edhe për kafshët, dhe të jetë veçanërisht i dobishëm në luftën kundër kequshqyerjes së fëmijëve, sepse insektet kanë shumë lëndë ushqyese.

Karkalecat thuhet se kanë tre herë më shumë proteina sesa mishi i lopës dhe përmbajnë zink dhe hekur. Ky nuk është lajm në vendet si Azia Juglindore, ku tashmë ekzistojnë ferma insektesh.

Eva Muller, nga FAO, thotë se “insektet janë shumë të pashfrytëzuara për potencialin e tyre ushqimor”.

Ajo është optimiste për pranueshmërinë e tyre në të ardhmen, madje edhe në vendet perëndimore. Thotë se insektet mund të sjellin edhe përfitime shëndetësore.

“Në një afat më të gjatë, mendoj se insektet mund të hahen edhe në vendet perëndimore. Pse do të ishte mirë? E dimë se popullsia në botë po rritet dhe, krahas kësaj, do të ketë edhe rritje të kërkesave për ushqim dhe proteina në përgjithësi. Insektet ofrojnë një opsion për sigurimin e tyre. Në kulturat perëndimore, ku kemi probleme të mëdha me obesitetin dhe mbipeshën, insektet kanë kalori dhe mund të ofrojnë një dietë të shëndetshme”, thotë Muller.

Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje edhe pronarëve të restoraneve që të përfshijnë insektet në meny. Nëpër disa lokale në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, ato tashmë ndodhen.

Për shembull, kuzhinieri i famshëm spanjoll, Jose Andres, shërben një karkalec popullor, të quajtur “chapulin” në Meksikë, në restoranin e tij Oyamel në Uashington.

Isa Betancourt, asistente e entomologjisë në Universitetin Drexel të Filadelfias, thotë se shumë prej insekteve jetojnë në mjedise të pastra pyjore dhe ushqehen me bimë – çfarë i bën ato me shije të mirë kur të gatuhen.

Insektet zakonisht shijojnë, sepse kanë një aromë shumë të butë. Unë kam ngrënë krimba, miza… Mizat kanë qenë me kërpudha dhe kanë qenë vërtet të shijshme”, thotë Betancourt.(v.tela)
XS
SM
MD
LG