Ndërlidhjet

Rusi: Incidenti me spiunin nuk i ndihmon raportet me SHBA-të


Ambasadori amerikan "thirret" nga rusët
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:50 0:00

Ambasadori amerikan "thirret" nga rusët

Zëdhënësi i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, thotë se përpjekja e dyshuar nga një diplomat amerikan për të rekrutuar një oficer të inteligjencës ruse, për të punuar për agjencinë CIA, nuk i ndihmon përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve Shtetet e Bashkuara – Rusia.

Deklarata e Dmitry Peskovit, zëdhënësi i Putinit, ishte komenti i parë nga një zyrtar i Kremlinit, për arrestimin e shkurtër dhe dëbimin e diplomatit.

Ambasadori amerikan, Michael McFaul, është takuar me zyrtarë rusë në Ministrinë e jashtme, ku ishte ftuar lidhur me incidentin. Zoti McFaul ka refuzuar të bëjë komente për këtë incident.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se incidenti kurrë nuk është përmendur gjatë takimit të tij me sekretarin amerikan të shtetit, John Kerry, në margjina të takimit të Këshillit Arktik në Kiruna të Suedisë.

“Ne nuk e kemi diskutuar këtë temë. John Kerry nuk e ka shtruar këtë çështje. Unë po ashtu vendosa se me gjasë do të ishte e tepërt të diskutoja për këtë gjë, pasi tash e tëra është publike dhe çdo gjë është e qartë për çdokënd”, tha Lavrov.

Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi e ka identifikuar diplomatin amerikan me emrin Rayan Christopher Fogle, dhe tha se ai kishte punuar “fshehurazi” si sekretari i tretë i Departamentit politik të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Rusi.

Ky shërbim ka njoftuar se ai ishte arrestuar për një kohë të shkurtër, për dyshime se ishte përpjekur ta rekrutoj një oficer rus të kundër terrorizmit, i cili është i specializuar për rajonin e trazuar të Kaukazit në pjesën jugore të Rusisë.

Në këtë rajon gjendet edhe Çeçenia, prej nga e kanë origjinën dy të dyshuar për sulmet me bomba në maratonën e Bostonit në Shtetet e Bashkuara.

Televizioni shtetëror rus ka paraqitur video të arrestimit të diplomatit amerikan dhe i ka treguar gjërat që thuhej se i takonin amerikanit, përfshirë dy paruka, një kompas, një hartë të Moskës, një letër ku ofroheshin një milion dollar amerikan për bashkëpunim, dhe instruksione se si të kontaktohet agjencia CIA nëpërmjet imejlit.

Robert Baer, është shkrimtar amerikan dhe ish-oficer i agjencisë CIA. Duke folur për incidentin ai i tha rrjetit televiziv amerikan CNN se është shumë skeptik lidhur me ngjarjen që e kanë treguar rusët.

Këto nuk janë shenja dalluese të CIA-s. CIA nuk bartë letra përreth te agjentët perspektivë, ata nuk bartin paruka, ata nuk e përdorin imejlin, ata nuk qëndrojnë nëpër qoshe, duke pritur për kontaktin siç ishte ky”, thotë Baer.

Ai thekson se ndoshta incidenti është vënë në skenë nga shërbimet e sigurimit të Rusisë.

“Ata e arrestuan njeriun nën rrethanat më të këqia për ta shqetësuar agjencinë CIA-n dhe qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Ata ia shtojnë vlerën propagandës së tyre. Nëse ka qenë çështje e spiunimit, gjithnjë është mundësia e thjeshtë e dëbimit të operativistit të CIA-s, në mënyrë të qetë dhe askush nuk do të dinte për të. Qartaz, rusët dëshirojnë të kenë ndonjë përfitim nga kjo”, thotë Robert Baer.

Korrespondentët thonë se arrestimi dhe dëbimi i zotit Fogle duket se është rasti i parë, që një diplomat amerikan në Rusi, publikisht akuzohet për spiunim gjatë afro një dekade të fundit. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG