Ndërlidhjet

Bashkëpunimi me Kolegjin Dartmouth


Ilustrim
Ilustrim
Prej pas konfliktit të fundit në Kosovë Kolegji Dartmouth ka përkrahur sistemin shëndetësor në Kosovë me projekte të ndryshme.

Kolegji Dartmouth, i cili është themeluar në vitin 1769, dhe ka një përvojë 240 vjeçare në edukimin mjekësor, dhe mbi 40 vite drejtpërdrejt të përfshirë në shkencat më bashkëkohore të menaxhmentit shëndetësor dhe gjetjes së formave më inovative të ofrimit të shërbimeve bashkëkohore shëndetësore.

Zëvendëspresidenti për çështjet shëndetësore dhe dekani i shkollës Geisel në Dartmouth, njëherësh profesor i kirurgjisë, Uajli Shouba, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se bashkëpunimi me liderët kosovarë për avancimin e sistemit shëndetësor kosovar është i kënaqshëm, dhe do të vazhdojë.

"Qëllimi në Kosovë është që të afrohet cilësia më e lartë e shërbimeve shëndetësore të gjithë qytetarëve më koston më të ulët dhe me koston më optimale të mundshme dhe me parametrat më të lartë të sigurisë. Përpjekja e bashkëpunimit ka filluar para se unë të merrja titullin e dekanit, dhe që nga viti 1999, kur Kosova bashkëpunon me kolegjin e Dartmouth-it , dhe në atë kohë theksi është vërë te shëndeti i nënës dhe fëmijës".

"Ajo që më bind dhe më jep shpresë për rezultatin e këtij bashkëpunimi është mbështetja që gjej te liderët kosovarë , si presidentja Jahjaga dhe ministri Agani dhe kam bindje të plotë që programet tona do të kenë rezultate thelbësore sidomos në fushën e shkëmbimit të studentëve të kërkuesve shkencor dhe në një far mënyre në rritjen e kapaciteteve".

Derisa ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, ka bërë të ditur se Kolegji i Dartmouth it është i kyçur në sektorin e shëndetësisë të vendit tonë që nga vitet e para të pasluftës, tash konkretisht kjo vizitë ka filluar të rezultojë me një konkretizim të marrëveshjes së bashkëpunimit që është nënshkruar para dy muajsh në tri fusha.

"Njëra fushë, mbështetja e reformës së sistemit shëndetësor nëpërmjet vendosjes së një qendre kërkimore hulumtuese shkencore në MSH, e cila do të merret me analizën dhe vlerësimin e rezultateve të reformës. Pra mangësitë dhe rezultatet e reformës në mënyrë që t'i korrigjojmë në hap".

"Dekani Shouba e ka theksuar se nuk ka reformë të suksesshme të sistemit shëndetësor nëse nuk ka reformë të edukimit mjekësor. Fusha e tretë, bashkëpunimi i programit të shkëmbimit të studentëve mjekëve menaxherëve në mes Kosovës dhe SHBA-ve, sepse kjo është një përvojë shumë e suksesshme e një partneriteti shumë efektiv që e kemi pasur", tha Agani.

Sidoqoftë ka pasur mbi 200 shkëmbime të dyanshme të studentëve, pedagogëve dhe stafit mes Dartmouth-it dhe Kosovës që nga fillimi i këtij programi.

Gjithashtu ne vitin 2009 u lansua edhe Fondacioni Kosovar për Nëna dhe Foshnje nga kolegji Dartmouth për të mbështetur veprimtaritë lidhur me shëndetin e nënës dhe fëmijës.

Ky organizim po fuqizohet për të rritur efektivitetin e punës së këtij Fondacioni.
XS
SM
MD
LG