Ndërlidhjet

NYT: Spiunimi ndaj agjencisë “Associated Press”


Fotografi ilustruese (Shutterstock)
Fotografi ilustruese (Shutterstock)
Administrata Obama ka dështuar në ofrimin e një justifikimi të besueshëm për konfiskimin e regjistrimeve telefonike të gazetarëve dhe redaktorëve të agjencisë “Associated Press”, shkruan gazeta “New York Times”.

Të premten, Departamenti i Drejtësisë ka bërë të ditur se ka hulumtuar me muaj të tërë nëpër regjistrimet e AP-së, një prej organizatave më të vjetra dhe më me reputacion të lajmeve.

Zëvendësprokurori i përgjithshëm, James Cole, nuk ka ofruar ndonjë shpjegim të mëtejshëm, por vetëm ka thënë se hulumtimi ka qenë pjesë e “një hetimi penal, që përfshin materiale të klasifikuara” nga fillimi i vitit 2012.

Prokurori i përgjithshëm, Eric Holder, ka thënë se nuk mund t’i komentojë detajet e sekuestrimit të regjistrimeve telefonike, për të cilat ka thënë se kanë qenë hetime të hapura.

“New York Times” kujton se edhe zoti Holder, edhe zoti Cole kanë theksuar angazhimet e tyre për liri të mediave.

Por, ata nuk janë bindës. Për më shumë se 30 vjet, mediat dhe qeveria kanë përdorur një sistem për të balancuar nevojat e Qeverisë në ndjekjen e kriminelëve ose të shkelësve të sigurisë kombëtare, me të drejtën kushtetuese të mediave për të informuar publikun.

Aksioni ndaj AP-së, siç kanë thënë edhe Reporterët e Komitetit për Liri të Shtypit në letrën dërguar zotit Holder, “vë në pikëpyetje integritetin e politikës së administratës ndaj shtypit”.

Regjistrimet, shkruan “New York Times”, kanë mbuluar 20 linja telefonike, përfshirë telefonat e zyrave kryesore në New York, Uashington, Hartford dhe në Galerinë për Shtyp të Kongresit.

Holder ka thënë se Departamenti i Drejtësisë ka siguruar në mënyrë sekrete të dhënat, për të zbuluar detaje të një operacioni të CIA-s në Jemen. Operacioni kishte ndaluar një komplot të Al Kaidës në vitin 2012, kundër një avioni që shkonte për në Shtetet e Bashkuara.

Sipas udhëzimeve, vijon artikulli, administrata duhej të kërkonte informacione prej burimeve të tjera. Zoti Cole ka thënë se e ka bërë. Por, administrata ka marrë vendim shqetësues duke mos e informuar AP-në paraprakisht. Udhëzimet u kërkojnë hetuesve që të informojnë “nëse nuk ka kërcënim substancial për integritetin e hetimeve”.

Administrata Obama ka akuzuar ish-zyrtarë dhe zyrtarë të tanishëm sipas Aktit të Spiunazhit, i cili është përdorur vetëm tre herë qysh është miratuar në vitin 1917.
Një ish-zyrtar i CIA-s është shpallur fajtor në bazë të një ligji tjetër, për zbulimin e emrit të një agjenti, i cili ka marrë pjesë në torturimin e një terroristi të dyshuar. Ndërkohë, presidenti Obama ka vendosur të mos hetojë dhe shumë më pak të ndjekë penalisht dikë që aktualisht torturon.

Departamenti i Drejtësisë po bën së paku dy hetime të mëdha të shtypit - përfshirë një që besohet se fokusohet në raportimin e gazetarit David Sanger në një libër dhe një në gazetën “The Times” - për përpjekjet amerikano-izraelite për të sabotuar punën bërthamore të Iranit.

Këto taktika nuk do të na trembin, por ato mund të zbulojnë burime të raportimeve të tjera dhe të frikësojnë kontaktet konfidenciale - jetike për mbulimin e Qeverisë, shkruan “New York Times”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG