Ndërlidhjet

Afganistan: Sulm vetëvrasës ndaj një konvoji me forca të jashtme


Pamje pas shpërthimit në Kabul

Pamje pas shpërthimit në Kabul

Policia e Afganistanit thotë se një sulmues vetëvrasës me bombë e ka sulmuar konvojin e makinave me forcat e jashtme në kryeqytetin Kabul.

Ministria e shëndetësisë dhe zyrtarë të policisë thanë se gjashtë civilë janë vrarë dhe së paku 35 të tjerë janë plagosur gjatë sulmit të sotëm.

Policia tha se nga shpërthimi i fuqishëm janë dëmtuar rëndë disa shtëpi.

Quenton Roehricht, zëdhënës i forcave të jashtme në Afganistan, që udhëhiqen nga NATO-ja, e ka konfirmuar “një shpërthim, që ndodhi në konvojin e koalicionit në Kabul këtë mëngjes”, por nuk ka dhënë detaje të tjera.

Raportohet se grupi militant islamik, Hizb-e Islami, me liderin e vet, Gulbuddin Hekmatyar, e ka marrë përgjegjësinë për sulm.

Sulmi i fundit i madh vetëvrasës në Kabul ishte bërë më 9 Mars, me ç’rast u vranë 9 vetë, afër ministrisë së mbrojtjes, gjatë vizitës së sekretarit amerikan të mbrojtjes, Chuck Hagel.
XS
SM
MD
LG