Ndërlidhjet

Rexha: Nuk jam kundër interesave amerikane


Pamje nga Prishtina

Pamje nga Prishtina

Blerim Rexha, drejtori i deritashëm i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i cili të enjten dha dorëheqje nga posti i tij, pohon se nuk është kundër interesave amerikane.

Në deklaratën e tij ku njofton Kuvendin e Kosovës për largimin, Rexha thotë se “tendenca se kinse unë jam kundër interesave amerikane dhe evropiane në Kosovë nuk qëndron”.

Unë e familja ime, ashtu sikur të gjithë qytetarët e Kosovës, përkulemi me shumë respekt para kontributit të SHBA-ve dhe BE-së dhënë për popullin dhe shtetin e Kosovës. Në këtë situatë të krijuar jep dorëheqje të pakthyeshme nga pozita e Kryesuesit të Bordit të AKP-së”, shkruan ai në dorëheqjen e tij.

Dorëheqja e Blerim Rexhës vjen pas largimit të përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara nga Bordi i AKP-së Bernadette Roberts.

Ndryshe, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë i ka dërguar një përgjigje me shkrim Radios Evropa e Lirë, në ndërlidhje me largimin e Roberts nga bordi i drejtorëve të AKP-së.

Zhvillimi i sektorit privat dhe privatizimi janë vendimtarë për rritjen ekonomike të Kosovës dhe krijimin e vendeve të punës. Prandaj, është e domosdoshme që qeveria të angazhojë individë kompetentë dhe etikë për të zhvilluar një proces të drejtë dhe transparent të privatizimit nga i cili përfiton Kosova si e tërë dhe jo interesat individuale”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Zëdhënësi i AKP-së Ylli Kaloshi tha për Radion Evropa e Lirë, se dorëheqja e drejtorit të bordit është dërguar tek ligjvënësit.

“Dorëheqja është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, i cili sipas ligjit të AKP-së është organ që zgjedh anëtarët e bordit të drejtorëve, dhe agjencia ka marrë njoftimin dhe tekstin e dorëheqjes së paraqitur nga kryesuesi në Kuvendin e Kosovës”, tha Kaloshi.

Dorëheqja është e pakthyeshme nga pozita e kryesuesit të bordit të AKP-së,” shtoi ai.

Rexha në deklaratën e tij iu ka kërkuar falje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, qytetarëve të Kosovës, që në këtë kohë të shkurtër “nuk ka mundur të zbatojë rekomandimet për rritje të transparencës dhe ndryshimit të modelit të privatizimit, të dala nga rezoluta e Kuvendit e tetorit e vitit 2012”.

Ai ka theksuar se është e padiskutueshme që “AKP duhet ta ndërrojë qasjen ndaj pronës, aseteve që privatizon dhe menaxhon”.

Bordi i AKP-së ka shtatë anëtarë, kurse pas dorëheqjes së Bernadette Roberts, dhe Blerim Rexha, nga ky trup është larguar edhe një anëtare tjetër.

Agjencia ka pranuar njoftimet se përpos përfaqësueses amerikane në bordin e drejtorëve, ka dhënë dorëheqje edhe anëtarja tjetër znj. Dardane Peja”, tha Ylli Kaloshi për Radion Evropa e Lirë.

Largimi i përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara nga bordi i AKP-së, është cilësuar si lajm jo i mirë për Kosovën, si nga zyrtar shtetëror, ashtu edhe nga opozitarët dhe shoqëria civile.

Në debatin e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që i tërë bordi i AKP-së të shkarkohet.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se politizimi i bordeve të agjencive të pavarura të shtetit, nuk duhet të vazhdojë.

“Ne jemi që të shkarkohet i tërë bordi, sepse konsiderojmë që ky bord, e jo vetëm zoti Rexha, nuk përfaqësojnë ata që do të duhej t’i përfaqësonin, por përfaqësojnë interesa të caktuara politike dhe partiake”, tha Beqiri në kuvend.

Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës është e bindur se edhe institucionet tjera, siç tha ai, “të ashtuquajtura, të pavarura, e që janë votuar nga ky kuvend, e që LDK-ja nuk ka marr pjesë në votim, edhe BQK-ja, edhe ky agjencion, edhe ato tjera, do t’i pret ky fat i njëjtë”.

“Ky fat i keq, dhe fatkeqësisht i keq për ne, sepse po dëshmohet se në këtë agjencion [AKP] dhe në disa agjencione tjera, thjesht bëhet politikë partiake në dëm të interesave të vendit.”

Andaj, largimi i zonjës Roberts, përfaqësueses së SHBA-së, nga ky agjencion është sinjali edhe më i fuqishëm për ata që s’e kanë pasur të qartë, se në këtë agjencion punët janë shumë keq, dhe po luhet me pronat e vendit tonë, dhe me privatizimin e atyre aseteve të rëndësishme që i ka Kosova”, tha Beqiri.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG