Ndërlidhjet

McDonald's mbyll dyert në Maqedoni


“Të gjitha restorantet McDonald’s në Maqedoni janë mbyllur përkohësisht dhe do të hapen sërish sa më shpejt që është e mundur”, është prononcimi me shkrim i Kompanisë "SJ", e cila që nga viti 1997 e ka franshizën e McDonald’s-it në Maqedoni.

Bëhet e ditur se si pasojë e rrethanave, të cilat janë jashtë kontrollit të kompanisë, prej saj është kërkuar më 14 maj ta ndërpresë punën e restoranteve të McDonald’s-it në territorin e Maqedonisë.

"Për momentin, kërkojmë zgjidhje, e cila do të na mundësojë që përsëri t'i hapim dyert e restoranteve tona, sa më shpejt që është e mundur. Për këtë qëllim, shpresojmë për negociata të dobishme me korporatën McDonald’s, të cilat do të na mundësojnë ta vazhdojmë misionin tonë dhe t'u shërbejmë konsumatorëve tanë besnikë në Maqedoni", theksohet në kumtesën me shkrim të Kompanisë “SJ”.

Derisa të rinjtë shprehin keqardhje se nuk do të mund të ushqehen në restorantin e tyre të preferuar, grupmoshat më të vjetra thonë se është bërë mirë, sepse çmimet janë shumë të larta në këto restorante.

“Po erdhëm këtu bashkë me shokë dhe hasëm në dyer të mbyllura, shpresojmë që sa më parë të hapet, edhe pse s’e dimë arsyen e mbylljes”, thonë disa të rinj.

“Jo, aspak nuk më mungon ushqimi nga ky restorant, më duket shumë i shtrenjtë”, shprehet një grua më e moshuar.

“Sot kam ardhur rastësisht dhe s’po punuaka”, thotë një qytetare, e cila kishte ardhur nga Kosova, duke nënvizuar se pikë takim me miqtë e saj ka po këtë vend.

E, përderisa autoritetet maqedonase nuk dëshirojnë të komentojnë mbylljen e restoranteve McDonald’s, në Maqedoni, e përditshmja maqedonase “Dnevnik” shkruan se kompania maqedonase nuk ka të drejtë të punojë nën markën e McDonald’s-it, duke nënvizuar se këtë informatë për gazetën e kanë konfirmuar edhe nga selia e McDonald’s-it në Evropë.

Pas ndërprerjes së marrëveshjes “SJ Kompani” nuk posedon të drejtë të punojë me restorantet nën emrin e markës McDonald’s, ka thënë për gazetën “Dnevnik” Agnes Vandai, drejtor për komunikime në McDonald’s.

Vandai ka shtuar restorantet e kompanisë, e cila deri më tani e kishte licencën, do të mund të punojnë, mirëpo nën ndonjë markë tjetër. Kjo do të thotë se do të pushojnë së punuari që të shtatë restorantet e McDonald’s-it në vendin tonë.

Gjatë ditës nuk janë dhënë informacione zyrtare, nëse ndonjë kompani tjetër do ta marrë biznesin me zinxhirin e restoranteve McDonald’s dhe se cilat janë shkaqet e ndërprerjes së marrëveshjes me kompaninë e licencuar për më shumë se 16 vjet në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG