Ndërlidhjet

logo-print

Ministria e Drejtësisë sqaron ekstradimin


Gjykata e Qarkut, Prishtine

Gjykata e Qarkut, Prishtine

Ministria e Drejtësisë ka bërë një sqarim në lidhje me procedurat e ekstradimit.

Njoftimi vjen pasi që temë debati në media është bërë ekstradimi i Naser Kelmendit, i kërkuar ndërkombëtarisht, pas akuzave të ngritura në Bosnje. Ai është arrestuar në Kosovë.

“Si rezultat i informatave të ndryshme dhe jo-zyrtare të cilat kanë qarkulluar së voni në mediet e vendit dhe më gjerë, Ministria e Drejtësisë ndjehet e obliguar për të sqaruar opinionin publik në lidhje me procedurat për ekstradim, për të sqaruar kështu keqkuptimet që janë bërë në publik”, thuhet në njoftim.

“Vendimi final për ekstradim i cili merret nga Ministri, është rezultat i drejtpërdrejtë i vendimit paraprak të Gjykatës kompetente. Më konkretisht, kërkesa për ekstradim nga një shtet i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë për ta përcjellur atë në Gjykatë. Pas përcjelljes së kësaj kërkese tek Gjykata, Ministria e Drejtësisë nuk mund të marrë asnjë vendim apo hap tjetër procedural, në pritje të vendimit të Gjykatës.

"Gjykata më pas vendos nëse janë plotësuar kushtet për ekstradim, gjegjësisht nëse ka marrëveshje për ekstradim (në rastet kur personi i arrestuar është shtetas i Kosovës) apo kushte të tjera procedurale të parapara sipas ligjit. Personi ka mundësi ankimi në këtë vendim dhe deri në momentin kur vendimi i Gjykatës të jetë i plotfuqishëm, Ministria e Drejtësisë nuk mund të marrë vendimin final”, thuhet në komunikatën për media të Ministrisë së Drejtësisë.

“Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës, Ministri merr vendimin për ekstradim. Ministri mund të marrë vendim për të lejuar ekstradimin, vetëm nëse Gjykata ka vendosur se janë plotësuar kushtet për të. Deri më tani, Ministri i Drejtësisë asnjëherë nuk ka marrë vendim në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
XS
SM
MD
LG