Ndërlidhjet

KQZ-ja, e gatshme për zgjedhje, me apo pa reformë zgjedhore


Fotografi nga arkivi

Fotografi nga arkivi

Zgjedhjet lokale, të cilat parashihet të mbahen gjatë vjeshtës, do të jenë sërish një sfidë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi që edhe ky proces do të mbahet pa ndryshimet në ligjin përkatës.

Florian Dushi, anëtar i Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se pavarësisht mungesës së reformave, zgjedhjet duhet mbahen dhe se KQZ-ja, sipas tij, do t’i forcojë mekanizmat që ka, në mënyrë që zgjedhjet të mbahen në mënyrë të rregullt.

“Sikur edhe vitet paraprake, edhe këto zgjedhje do të jenë sfidë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pritur për këto 2-3 vjetët e fundit që të ndodhë diçka pozitive në procesin e reformës zgjedhore, por meqë nuk ka ndodhur, unë mendoj që do të jetë mjaft sfiduese. Ne, ndoshta, do të përqendrohemi që t’i forcojmë mekanizmat tanë të kontrollit dhe mbikëqyrjes së procesit dhe përmes presionit dhe ndoshta edhe të opinionit publik, të kërkojmë nga subjektet politike që të kenë një qasje më serioze, më demokratike dhe më fer gjatë zhvillimit të zgjedhjeve në Kosovë”, thotë Dushi.

Kurse, Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se megjithëse nuk është arritur të përmbyllet reforma as për nivelin lokal dhe as për atë qendror, në zgjedhjet e ardhshme lokale do të shkohet me ligjin ekzistues.

“Natyrisht, ndryshimi i ligjit të ri do të nënkuptonte edhe ndryshimin e të gjitha rregullave të reja në përputhshmëri me të, mirëpo kjo mbetet të shihet, ndoshta sipas të gjitha gjasave kjo mbetet vetëm për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme parlamentare”, shprehet Gashi.

Mbajtja e zgjedhjeve lokale këtë vit, pa përfunduar reforma zgjedhore, natyrisht që prek edhe KQZ-në, thotë anëtari i KQZ nga radhët e Vetëvendosjes, Alban Krasniqi.

Sipas tij, pjesët e ndryshimeve që do të duhej të ndodhnin, do ta lehtësonin menaxhimin apo administrimin e procesit zgjedhor dhe do ta depolitizonin procesin.
Megjithatë, me apo pa reformë zgjedhore, mendoj që Komisioni Qendror Zgjedhor do të duhej të ishte i përgatitur në çdo moment...

“Megjithatë, me apo pa reformë zgjedhore, mendoj që Komisioni Qendror Zgjedhor do të duhej të ishte i përgatitur në çdo moment, në çdo rast, qoftë për këto zgjedhje, qoftë edhe për zgjedhjet e tjera që mund të jenë si zgjedhje të parakohshme apo të jashtëzakonshme, sepse është edhe obligim kushtetues dhe ligjor i KQZ-së që të organizojë zgjedhjet, të sigurohet për mbarëvajtjen e tyre dhe t’i shpallë rezultatet”, thekson Krasniqi.

Për mungesë të reformave zgjedhore, vendi pritet të shkojë në zgjedhjet e ardhshme lokale me legjislacionin e vjetër.

Përmbyllja e reformave zgjedhore, paraqet një nga kriteret që Komisioni Evropian i ka përcaktuar Kosovës në kuadër të studimit të fizibilitetit për negociatat e Stabilizim-Asociimit.

Një çështje tjetër problematike që ka të bëjë me zgjedhjet në komunat veriore, është ajo e partive politike serbe në atë pjesë, të cilat janë të regjistruara në Serbi, por jo edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë.

Për të qenë pjesë e procesit, partitë serbe nga veriu duhet të regjistrohen në organet e Kosovës.

Anëtarët e KQZ-së thonë se nëse zgjedhjet lokale mbahen në Kosovë, ato duhet të mbahen në gjithë territorin e vendit. Lidhur me këtë çështje, Alban Krasniqi nga Vetëvendosje, thotë se edhe veriu është pjesë e Kosovës dhe edhe atje duhet të mbahen zgjedhjet.

“Këtu KQZ-ja nuk duhet të bjerë pre e asnjë aranzhimi politik që mund ta bëjë dikush tjetër. Në rast se nuk mund të realizohen zgjedhjet në tërë territorin e Republikës së Kosovës, atëherë janë nenet tjerat të Kushtetutës, që përcaktojnë qartë se në cilat raste nuk mbahen zgjedhjet. Dhe, një prej rasteve kur nuk mbahen zgjedhjet është edhe kur ka emergjenca, kur ka edhe gjendje të jashtëzakonshme apo edhe kur cenohet integriteti apo sovraniteti i vendit”, shton Krasniqi.

Ndryshe, përfaqësuesit e shoqërisë civile, Demokracia në Veprim, që kryesisht merret me vëzhgimin dhe monitorimin e proceseve zgjedhore, ka vlerësuar se reformat janë zvarritur shumë edhe atë me fajin e liderëve të partive kryesore politike.

Ata i kanë bërë thirrje KQZ-së që në mungesë të reformave, t’i ndërmarrë hapat për përmirësimin e infrastrukturës për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG