Ndërlidhjet

Gratë e abuzuara dhe qasja e mjekëve


Ilustrim
Ilustrim
Dhuna ndaj grave mbetet problem serioz dhe i vazhdueshëm në Kosovë. Sipas zyrtarëve që merren me mbrojtjen e grave, 90 për qind e viktimave të dhunës në familje janë femrat.

Dhuna në familje në Kosovë, edhe sipas raporteve ndërkombëtare, është cilësuar si një problem mjaft shqetësues.

Por shpeshherë kontakti i parë i femrave që janë të abuzuara, qoftë fizikisht apo seksualisht, është mjeku.

Se si i qasen vetë mjekët këtyre rasteve, shpjegon doktor Buajr Gjikolli, i cili i ka thënë Radios Evropa e Lirë se për këtë çështje janë mbajtur ndër vite edhe trajnime.

"Edhe vitin e kaluar, edhe këtë vit, ne jemi duke marrë mësime se si duhet qasur viktimave të dhunës. Por, për këtë fushë nuk duhet të ketë mjekë specialistë për shkak se kjo përfshin shërbime specialistike të të gjitha fushave, dhe mjekësia kosovare është në gjendje që ti trajtojë ato, por është çështje e qasjes. Si fenomen është mjaft i shprehur, por sa është i mbuluar shtrohet pyetja".

"Andaj është e nevojshme të ngrihet vetëdija e institucioneve shëndetësore që merren me këtë problematikë. Andaj, përmes punës sa më korrekte të mjekëve ai kontribuon në zvogëlimin e pasojave dhe parandalimin e kësaj dukurie", shprehet Gjikolli.

Derisa Xhulieta Devolli, zyrtare në departamentin e të drejtave të njeriut në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, ka bërë të ditur se numri i grave viktima për vitin 2012 është 1,021, derisa 800 nga to kanë qenë femra të abuzuara.

Sipas saj, është parë si e domosdoshme që të mbahet trajnimi i mjekëve se si duhet qasur viktimave të dhunës.

"Trajnimi është bërë për fenomenin e dhunës në familje , çfarë elemente kanë , prej kujt shkaktohen, pse shkaktohen pra të dhënat e përgjithshme për këto fenomene. Në gjithë Kosovën janë trajnuar mjekët e qendrave të mjekësisë familjare dhe emergjencave".

"Kjo është bërë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, duke e parë si të nevojshme, sepse ata duhet të dinë ta identifikojnë dhe ta lajmërojnë policinë, pastaj të dinë si t'i qasen si ta trajtojnë.
Dhuna në familje ekziston në gjithë botën. Numri i viktimave për vitin 2012 është 1,021 dhe 800 kanë qenë gra, raste të cilat janë lajmëruar në polici.", thekson Devolli.

Sido që të jetë , Ministria e Shëndetësisë nuk ka të dhëna të sakta se sa gra, viktima të dhunës seksuale apo fizike lajmërohen fillimisht te mjeku.

Kjo, si mungesë e një baze të të dhënave lidhur me ofrimin e këtyre shërbimeve.

Sanije Kicmari, koordinatore e njësisë për të drejtat e njeriut, në Ministrinë e Shëndetësisë jep hollësi të tjera.

"Fatkeqësisht për viktimat e trafikimit numri është në rritje, e sidomos te fëmijët. Por, ne posedojmë vetëm të dhënat e policisë. Sa i përket MSH-së, baza të të dhënave lidhur me ofrimin e këtyre shërbimeve nuk kemi".

"Kemi shumë probleme, kemi pasur shumë vizita nëpër spitale, kemi pasur trajnime , kemi përcjellë mesazhin te stafi që të kemi një bazë të dhënave, sa viktima të trafikimit i trajtojnë si mjekë, por nuk kemi arritur"
, thotë Kicmari.

Sidoqoftë edhe udhëheqës të Këshillit për Lirinë dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut,kanë deklaruar se kohët e fundit dhuna në familje ka shënuar rritje, duke thënë se ky fenomen, fatkeqësisht, kohëve të fundit ka marrë përmasa shqetësuese.

Sipas tyre institucionet kanë përpiluar strategji, por që ajo nuk ka treguar efikasitet, meqë numri është në rritje.
XS
SM
MD
LG