Ndërlidhjet

Shënimi i parë i ditës kundër homofobisë


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Dita ndërkombëtare kundër homofobisë.

“Mami, babi, unë jam gej!

Mund të jetë që për herë të parë dëgjohen këto fjalë në një ndërtesë qeveritare në Kosovë, edhe pse ato u thanë në një spot promocional, që u lëshua në konferencën e parë për temën e komunitetit lesbik, homoseksual, transeksual dhe transgjinor (LGBT), që u zhvillua ndonjëherë në Prishtinë.



Për herë të parë me këtë konferencë ky komunitet, shënoi ditën ndërkombëtare kundër homofobisë, apo mosdurimit ndaj njerëzve me orientim të ndryshëm seksual.

Komuniteti LGBT ka ekzistua në Kosovë prejse ka ekzistuar Kosova, jo vetëm si shtet, por edhe si hapësirë gjeografike”, tha Mirvete Bajrami, një prej anëtareve të komunitetit.

Kjo tryezë, që tuboi zyrtarë të lartë qeveritarë, ambasadorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, vuri në pah se kjo pjesë e shoqërisë kosovare, po ballafaqohet me shumë paragjykime, të cilat edhe kanë bërë që vetëm 14 vjet pas luftës, të flitet më hapur për këtë temë tabu.

Drejtori i Zyrës për qeverisje të mirë, në kuadër të kryeministrisë së Kosovës, Habit Hajredini, tha se ky komunitet është i detyruar të jetojë në hije, me frikën, se zbulimi i identitetit të tyre të vërtetë, do të çojë në përjashtimin nga familja, shoqëria, humbja e respektit, apo edhe humbja e vendit të punës.

“Edhe pse qytetarët, me theks të veçantë të rinjtë, janë pro-evropianë dhe janë të hapur ndaj grupeve të ndryshme shoqërore, vërehet se ka një ndjenjë të theksuar paragjykimi, e urrejtje ndaj personave me orientim të ndryshëm seksual”, theksoi Hajredini.

Kosova është vendi i parë në rajon, i cili ka hartuar dhe miratuar Ligjin kundër diskriminimit qysh në vitin 2004.

E, për këtë fakt, ministrja për Integrime Evropiane Vlora Çitaku, tha se është krenare që Kosova mbron barazinë para ligjit.

“E vërteta, me të cilën ballafaqohemi çdo ditë na kujton se ky ideal, për të cilin jemi zotuar më 17 Shkurt, ditën kur kemi shpallur pavarësinë e Republikës sonë të re, ende është larg së realizuari. Është e papranueshme që në vendin më të ri në Evropë, me popullatën më të re, e cila do të duhej të ishte më e hapura, ka ende dhunë dhe diskriminim mbi baza të orientimit seksual”, theksoi Çitaku.

Konferencën e përshëndeti edhe Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, i cili tha se vetëm me fjalime nuk mbrohen të drejtat e njeriut, të cilat, u shpreh ai, nuk dallojnë se çfarë orientimi seksual ka individi.

“Ne nuk jemi mësuar të dëgjojmë se e kemi motrën, vëllanë, vajzën, ‘mozomakeq’ shoqen, të atij komuniteti sepse ata nuk kanë guxuar të deklarohen”, tha Kurteshi, duke shtuar:

“Nuk pres që shoqëria jonë të modernizohet brenda ditës, brenda natës. Unë pres solidarizim me të drejtat e njeriut. Jo me komunitetin LGBT, por me të drejtat e njeriut. Nuk ka të drejtë askush në këtë shoqëri, në këtë vend, të diskutojë për komunitetin si diçka të huaj, si diçka të jashtme, si diçka që ne (pyesim) se a mund ne ta integrojmë, a kemi mentalitet, a s’kemi mentalitet, a kemi kulturë?! Por, si pjesë e kësaj shoqërie, e pandashme”.

Mirvete Bajrami sqaroi se komuniteti lesbike, gej, biseksual dhe transgjinor, nuk gëzon mbrojtje ligjore në Kosovë, meqë me Kushtetutën e Kosovës vetëm orientimi seksual njihet si e drejtë, por jo edhe identiteti gjinor.

Sipas saj, kjo hallkë e munguar në zinxhirin juridik të vendit, bën që ata që abuzojnë me të drejtat e komunitetit LGBT, të ikin pa ndëshkuar.

“Përderisa personat, të cilët për çdo ditë i sulmojnë, i abuzojnë komunitetin LGBT nuk janë të dënuar në gjyq dhe me burgim, ky diskriminim nuk do të ndalet”, u shpreh Bajrami.

Ndryshe, sipas të dhënave që paraqiti Bajrami në këtë konferencë, në Kosovë janë mbi 1000 anëtarë të komunitetit LGBT, të cilët janë pre e sulmeve të vazhdueshme.

“Prej vitit 2005 e deri më tani, kemi pasur 2 vrasje të anëtarëve të komunitetit, kemi pasur më shumë se 20 rrahje fizike, 3 persona që janë larguar nga shtëpia dhe shumë prej tyre nuk kanë ku të shkojnë”, bëri të ditur Bajrami.

Ajo tha se komuniteti LGBT gjithmonë u konsiderua si joprioritar dhe kjo gjë, sipas saj, duhet të ndryshojë:

“Të drejtat e komunitetit, të drejtat e mia, janë të garantuara me ligj dhe me të gjitha standardet ndërkombëtare. Nuk është privilegj nga ana ime t’i kërkoj këto të drejta, sepse është obligim i institucioneve të sigurohet që ne do t’i kemi këto të drejta”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG