Ndërlidhjet

Cilësia e ushqimit, e varur nga zbatimi i ligjeve


Ilustrim
Ilustrim
Hulumtimet e bëra nga shumë organizata, përfshirë edhe Qendrën për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, që kanë analizuar gjendjen në treg, cilësinë e artikujve ushqimorë, bazën ligjore për prodhim, importin dhe kontrollin, kanë bërë të ditur se sa i përket sigurisë së ushqimit në Kosovë, gjendja është shqetësuese.

Mungesa e laboratorëve për testimin e produkteve pengon aktivitetet efektive të mbikëqyrjes së tregut.

Qytetarët mendojnë se në të shumtën e rasteve nuk ushqehen si duhet, për shumë arsye.

Kastriot Ferizi, student thotë se jeta dinamike nuk e lejon të ushqehet ashtu siç do të kishte dëshirë, derisa produktet në treg, sipas tij, ndodh të jenë jocilësore.

"Mendoj se në treg ka ushqim kualitativ, por ka edhe artikuj të dyshimtë dhe jo të shëndetshëm. Por, mendoj se mundësia për të gjetur diçka të shëndetshme është shumë e vogël, sepse perimet që ofrohen në treg, janë të rritura në mënyrë artificiale edhe mungon produkti vendor. Pastaj, produktet e importuara nuk e di se si ruhen dhe sa bëhen analiza te ne në mënyrë që të dihet saktë se çka konsumojmë. Mendoj se është një problem mjaft serioz çështja e ushqimit, me të cilën shumë pak merren institucionet gjegjëse", thotë Kastrioti.


Selatin Kaçaniku, drejtues i organizatës "Konsumatori", thotë për Radion Evropa e Lirë se ushqim të shëndetshëm ka aq sa ka edhe zbatim të ligjeve dhe aq sa ka kapacitete për ta mbikëqyrur ose për ta inspektuar tregun. Sipas tij, kapacitetet ekzistuese janë ende të pamjaftueshme.

"Pjesa më e madhe e ushqimit është cilësor dhe i sigurt, mirëpo në mes të shumë artikujve ka edhe aso që nuk e meritojnë as të hyjnë fare në tregun e Kosovës. Dhe, këtu ne kemi një zinxhir të mbikëqyrjes dhe kontrollit që nuk funksionon në mënyrë të koordinuar në mënyrë që një artikull ushqimor që nuk meriton të jetë në treg" , thekson Kaçaniku.

Ndërkaq, Arta Istrefi, zëdhënëse në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thotë se janë ngritur kapacitetet në krijimin e Departamentit për mbrojtjen e konsumatorit, dhe sipas saj, kjo ka treguar rezultate sa i përket kësaj çështje.

"Ministria e Tregtisë dhe Industrisë vitin e kaluar ka ngritur kapacitetet në krijimin e Departamentit për mbrojtjen e konsumatorit, duke qenë se është ende shumë herët për të treguar për rezultatet e shumta, ne megjithatë jemi munduar të punojmë shumë në sensibilizimin e qytetarëve. Kjo vërehet edhe në numrin e ankesave që kemi pranuar këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar".

"Gjatë këtij viti janë pranuar 40 ankesa për çështje të ushqimit që ministria i ka drejtuar në institucionet relevante. Nëse krahasohet me vitin e kaluar, gjatë tërë vitit kemi pasur vetëm 35 ankesa, ndërsa për këtë tre mujor të këtij viti numri i ankesave ka qenë 40. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përmes kampanjave të shumta, është munduar që t'i informojë qytetarët për Departamentin e mbrojtjes së konsumatorit",
shpjegon Istrefi.

Ajo gjithashtu shton se janë bërë përpjekje që të ngrihet vetëdija e qytetarëve duke ligjëruar në institucione shkollore, ku marrin pjesë ekspertë të çështjeve të ndryshme duke e treguar rëndësinë e ushqimit.
XS
SM
MD
LG