Ndërlidhjet

Makolli: Serbia mos t’iu krijojë probleme mërgimtarëve


Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli

“Problemet e mërgimtarëve lindin qysh në hyrjen e tyre në kufirin e Serbisë dhe deri me rastin e hyrjes në territorin e Kosovës. Në shumë raste mërgimtarëve iu është kërkuar të paguajnë para me qëllim që të kalojnë më lehtë apo më shpejt kufirin”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, duke shtuar se "shpreson që këto probleme do të zgjidhen në kuadër të marrëveshjeve që Kosova ka arritur me Serbinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ministër, thuhet se rreth 25 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë nëpër vende të ndryshme të botës. A mund të na thoni se cilat janë kërkesat e tyre dhe sa keni arritur ju si ministri t'i trajtoni në mënyrë institucionale ato kërkesa?

IBRAHIM MAKOLLI
Gjatë këtyre dy vjetëve të veprimit tonë, si Ministri e Diasporës, kemi kontaktuar pjesë të ndryshme të mërgatës sonë nëpër vende të ndryshme dhe kemi arritur që të marrim një numër të shqetësimeve, nevojave, të brengave të mërgimtareve tanë, të cilat dallojnë në raport me vendin ku ata jetojnë. Por, në drejtim të vendit të origjinës pothuajse janë kërkesa, shqetësime dhe nevoja të njëjta.

Mërgata jonë në fillim ka pasur problem (por tashmë është zbutur), çështjen e pajisjeve me dokumentacion të nevojshëm në kohën kur Kosova nuk ka pasur përfaqësi të saj diplomatike dhe konsullore. Sot kjo çështje është pothuajse e zgjidhur në tërësi, me gjithë faktin se Kosova nuk ka arritur të hapë përfaqësi të tilla në secilin vend ku jeton mërgata jonë. Një nga shqetësimet më të mëdha të mërgatës sonë ka të bëjë me ruajtjen e identitetit të mërgatës kur kemi parasysh se tash kemi gjeneratat e dyta e të treta, të cilat janë lindur dhe rritur në vende të ndryshme të botës.

Në këtë kuadër, bashkërisht me mërgatën ne kemi ndërmarrë veprime nga më të ndryshmet, në veçanti në përkrahjen për mësimin e gjuhës dhe kulturës të vendit të origjinës, por po ashtu edhe në bashkë-organizim edhe koordinim të aktiviteteve kulturore që janë një prej faktorëve kryesorë në këtë drejtim.

Një pjesë e mërgatës sonë, siç dihet, nuk kanë arritur ta zgjidhin statusin në vendet ku jeton. po ashtu një pjesë e mërgatës në vende të ndryshme, pavarësisht faktit se neve na kanë njohur këto shtete si shtet i pavarur dhe sovran, megjithatë administrata edhe më tutje vepron sikurse në të kaluarën dhe ata përballen me këto probleme. Ka çështje, të cilat i kemi identifikuar dhe tash bashkërisht me ta po përpiqemi t'u japim zgjidhje të merituar.

Një nga shqetësimet më të mëdha ndoshta të mërgatës në raport me vendin e origjinës, ka të bëjë me pamundësinë për të realizuar të drejtën kushtetuese për të votuar, çështje e cila po trajtohet tash në forma të ndryshme në Kosovë, për të krijuar edhe këtë mundësi fizike në të ardhmen. Megjithatë, ka çështje të cilat kanë marrë rrugën e zgjidhjes së tyre, por ka edhe çështje për të cilat bashkërisht po i identifikojmë mundësitë dhe metodat në mënyrë që mërgata jonë të mund të veprojë edhe në vendin ku ajo jeton dhe vepron tashmë, por edhe në raport me vendin e origjinës.

RADIO EVROPA E LIRË
Në vazhdimësi nga qytetarët e Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës, e që vijnë me automjetet e tyre në vendlindje, ka pasur ankesa se paguajnë një taksë shumë të lartë. Çfarë është bërë për këtë?

IBRAHIM MAKOLLI

Nuk është në dorën e Ministrisë së Diasporës, sepse ne siç e dimë Kosova nuk është pjesë e rrjetit të Kartonit të Gjelbër, rrjedhimisht i bie që çdo veturë me regjistrim të huaj që hyn në territorin e Republikës së Kosovës, është e obliguar që të pajiset me polisën kufitare të sigurisë.

Ne këtë çështje e kemi trajtuar disa herë edhe me shoqatën e kompanive të sigurimeve në Kosovë, e gjithashtu edhe me Bankën Qendrore të Kosovës për të gjetur një zgjidhje deri në kohën kur Kosova nuk do të jetë anëtare e këtij rrjeti. Kosova ka përfunduar një pjesë të legjislacionit të nevojshëm në këtë drejtim. Është themeluar Byroja nacionale e Kartonit të Gjelbër, por nga përgjigjet që ka marrë Kosova deri më tash nga ky rrjet është se për të qenë pjesë e saj, vendi duhet të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Megjithatë, jemi përpjekur që ta gjejmë një zgjidhje të ndërmjetme në këtë drejtim. Tashmë ka një zbritje të çmimit të kësaj polise kufitare të sigurisë, por ne nuk do të ndalemi së vepruari deri në momentin kur Kosova të jetë anëtare e këtij rrjeti, në mënyrë që të krijohen mundësi jo vetëm për ata, të cilët janë jashtë dhe hyjnë në territorin e Kosovës, e po ashtu edhe për automjetet me regjistrim të Kosovës që të lëvizin lirshëm pa pasur nevojë që të paguajnë taksa kufitare të sigurisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Prishtina dhe Beogradi, në kuadër të dialogut kanë arritur një marrëveshje për lëvizje të lirë. Pavarësisht kësaj, diaspora kosovare vazhdimisht është ankuar se po krijohen probleme gjatë kalimit transit nëpër territorin e Serbisë. Çka mund të na thoni ju?

IBRAHIM MAKOLLI
Është shumë e vërtetë që Serbia ka vazhduar dhe po vazhdon me obstruksione të ndryshme në raport me Kosovën dhe qytetarët e saj edhe një pjesë mërgimtarëve të saj që lëvizin nëpër territorin e Serbisë, kryesisht gjatë pushimeve, për të ardhur në vendlindje, hasin në probleme nga më të ndryshmet, të cilat bëhen me qëllim që t'i lodhin dhe t'i nëpërkëmbin mërgimtarët tanë.

Kemi pasur edhe arrestime të mërgimtarëve në të kaluarën, me akuza nga më të ndryshmet, por në veçanti kemi pasur radhë të gjata në pikat kufitare të Serbisë në lidhje me Kosovën dhe një numër i mërgimtarëve tanë kanë pritur me orë të tëra nëpër këto vendkalime kufitare. Me këtë rast, ne kemi reaguar edhe tek autoritetet tjera, edhe te Bashkimi Evropian që ka ndikim më të madh në autoritetet e Serbisë, por ne jemi të vetëdijshëm që obstruksione të tilla Serbia do të vazhdojë edhe në të ardhmen t'u bëjë qytetarëve të Kosovës në forma nga më të ndryshmet.

Ne kemi parasysh që problemet e mërgimtarëve tanë lindin që me hyrjen e tyre në kufirin e Serbisë nga vendet e treta dhe deri me rastin e hyrjes së tyre në territorin e Kosovës. Në shumë raste mërgimtarët, madje, janë ankuar edhe në detyrimet, të cilat u kanë vënë autoritetet serbe për të paguar shuma të ndryshme me qëllim që të kalojnë, ose më lehtë ose të kalojnë më shpejt, në territorin e Serbisë. Besojmë që këto probleme do të zgjidhen tashmë në kuadër të këtyre marrëveshjeve dhe bisedave që Kosova ka me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe po besojmë që Serbia do të largohet nga mentaliteti i së kaluarës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ministër, keni deklaruar kohë më parë se ka interesim nga diaspora kosovare për të krijuar fonde të veçanta zhvillimore në Kosovë, por ka hezitim nga ana e ministrisë. Pse është ky hezitim?

IBRAHIM MAKOLLI
Të them të drejtën, që nga ditët e para ka pasur ide nga më të ndryshmet për themelimin e një fondi investiv të diasporës që është një fond krejtësisht vullnetar i mërgatës. Por, them se e kaluara jonë me fonde nuk ka qenë e mirë, ka lënë pasoja dhe tash është shumë e vështirë që të veprohet në këtë drejtim. Megjithatë, ne po hulumtojmë format dhe modalitetet, duke i marrë për bazë edhe përvojat e vendeve tjera.

Por, edhe në rast se kërkohet një fond i tillë, ai do të jetë krejtësisht i menaxhuar nga ana e mërgatës. Roli që ne mund të luajmë në këtë drejtim, është që të kemi një rol mbështetës, fasilitues më tepër, por në asnjë moment ministria e as ndonjë autoritet shtetëror nuk do të duhej të ketë pjesëmarrje në të, në çfarëdolloj forme.

Ka pasur dhe ka mendime nga më të ndryshmet se si dhe çka të veprohet, natyrisht ne po i studiojmë këto në mënyrë që çdo veprim që ndërmerret të jetë në pajtim me legjislacionin dhe të jetë i efektshëm, e të mos krijojë dilema tek askush përkitazi me mundësitë e manipulimeve të ndryshme.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka interes nga qytetarët e Kosovës që jetojnë në vendet e ndryshme të botës, për të investuar në ndonjë sektor në vend?

IBRAHIM MAKOLLI
Ka nga më të ndryshmet, pothuajse se nuk ka diçka të përjashtuar në këtë drejtim. Ka në sektorin e prodhimtarisë , pastaj në energjetikë, në miniera, në bujqësi, në blegtori, pothuajse në të gjitha fushat. Ne duhet ditur se kapacitetet e mërgatës janë të limituara, pasi që kështu është gjendja e tyre, megjithatë ka pasur dhe vazhdon të ketë interesim shumë më të madh në fusha shumë më të thella më komplekse, qoftë në tekstil, qoftë në industrinë e lehtë. Natyrisht, ata të cilët investojnë, e shohin edhe leverdinë e tyre dhe ne kemi çdo ditë interesim më të madh për të investuar dhe jo vetëm interesim, por edhe investime direkte.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG