Ndërlidhjet

Konkursi, zgjedhje e vlerave a veprim populist?


Konkurset e shpallura

Konkurset e shpallura

Qeveria e Maqedonisë ka kumtuar se përmes shpalljes publike do të angazhohen 80 persona në poste udhëheqëse në institucionet shtetërore dhe po në këtë formë do të bëhet edhe përzgjedhja e 18 ambasadorëve të ardhshëm të Maqedonisë.

“Shpallja, e cila do të publikohet në faqen zyrtare të Qeverisë, i dedikohet mbi 80 funksioneve shtetërore, si emërimi i drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të agjencive shtetërore, ndërmarrjeve shtetërore, udhëheqësve të njësive rajonale, udhëheqësve të inspektorateve, sekretarë shtetërorë në disa ministri, ambasada, konsuj dhe atashe jashtë shtetit”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Aleksandar Gjorgjiev.

Një hap të ngjashëm ka ndërmarrë dhe kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila ka kërkuar nga Universitetet e vendit listën studentëve më të mirë për t`i angazhuar në sektorë përkatës në komunën që ajo drejton.

“Me të hyrë në komunë, ne kemi marrë listën e studentëve të diplomuar nga dy universitet këtu në Tetovë, Universiteti Evropës Juglindore dhe Universiteti Shtetëror i Tetovës, të studentëve të cilët kanë diplomuar me notë mesatare mbi 8.5, ngase unë dëshiroj që në bazë të mundësive, përparësi t`u japim po këtyre studentëve, për të krijuar një motiv te të rinjtë se vlen të mësohet, vlen të investohet në dije”, ka thënë Arifi.

Por, veprimet e këtilla të autoriteteve udhëheqëse të vendit shihen me sy skeptik nga analistët politikë.

Stevo Pendarovski, analist politik, konkursin e Qeverisë e sheh si veprim populist.

“Ajo që parashihet në ligjin aktual të Ministrisë së Punëve të Jashtme , gjegjësisht kushtet që duhet përmbushur për t'u zgjedhur ambasador, paraqesin garanci të mjaftueshme që të zgjidhen përfaqësuesit diplomatikë më të mirë”, vlerëson Pendarovski.

Ai thekson se problemi qëndron në atë se këto kritere të përcaktuara në ligj nuk respektohen, në të kundërtën do të duhej të ktheheshin më shumë se gjysma e stafit diplomatik të Maqedonisë.

"Në ligj theksohet se diplomatët duhet të jenë personalitete të dëshmuara dhe të njohura në jetën publike, derisa pjesa më e madhe e ambasadorëve të vendit janë kryekëput njerëz anonimë”, potencon Pendarovski.

Ai shton se është paradoksale që për një pjesë të vlejnë rregullat dhe për një tjetër jo, duke ritheksuar se veprimi i Qeverisë nuk paraqet asgjë më shumë pos populizmit tashmë të dëshmuar nga ana e Qeverisë Gruevski.

Nga ana tjetër Hasan Jashari konsideron se ky veprim i Qeverisë së Maqedonisë është për t`u përshëndetur, ngase në këtë mënyrë, sipas tij, rritet transparenca gjatë përzgjedhjes së resurseve njerëzore për postet që janë shumë të rëndësishme për demokratizimin e vendit, por edhe për imazhin ndërkombëtar të Maqedonisë, siç janë përfaqësuesit diplomatikë.

"Por, nëse ky proces nuk shoqërohet me një proces transparent në përzgjedhje, gjithçka është e kotë. Tjetër është që të bëhet thirrje publike që njerëzit të aplikojnë, të japin dokumentet e tyre, t`u jepet mundësi për të aplikuar dhe krejtësisht çështje tjetër është se si do të bëhet seleksionimi dhe kush do ta bëjë seleksionimin".

"Nëse këtë seleksionim e bën edhe më tej dikasteri i punëve të jashtme, gjegjësisht organet qeveritare, atëherë rezultatet dihen - zgjedhja do të bëhet sipas përcaktimeve politike. Por, nëse këtë proces e shoqëron një trup i pavarur i ekspertëve të njohur, të cilët kanë bërë karrierë në këtë lëmi dhe janë dëshmuar në diplomaci, atëherë ky veprim do të sillte vërtetë rezultate në ngritjen e kualitetit të përfaqësuesve diplomatikë të vendit”, konsideron Jashari, nga Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë.

Sipas tij, edhe në postet udhëheqëse të vendit, duhet zgjedhur njerëz profesionistë për të kthyer besimin e qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore njëherësh duke ritheksuar se ky veprim i qeverisë do të rezultojë pozitiv, vetëm nëse i gjithë procesi përcillet me transparencë maksimale.

Ndryshe, në konkursin e Qeverisë së Maqedonisë nënvizohet se të gjithë të interesuarit pa marrë parasysh përkatësinë etnike e politike, do të mund të aplikojnë deri më 31 maj të këtij viti.
XS
SM
MD
LG