Ndërlidhjet

logo-print

Westerwelle pritet të kërkojë zbatimin e marrëveshjes

  • RFE /RL

 Guido Westerwelle

Guido Westerwelle

Shefi i diplomacisë gjermane, Guido Westerwelle, shkon sonte në Beograd, për vizitë njëditëshe. Të hënën, ai pritet të qëndrojë edhe në Prishtinë, ku do të takojë zyrtarët më të lartë të vendit.

Qëllimi i vizitës është që të binden të dyja palët për domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit.

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve, muajin e kaluar, por zbatimi i saj ka ngecur.

Në Beograd, Westerwelle do të takojë presidentin serb, Tomisllav Nikolliq, kryeministrin Ivica Daçiq, zëvendëskryeministrin Aleksandar Vuçiq dhe ministrin e Jashtëm serb, Ivan Mërkiq.

Ambasada gjermane në Kosovë ka bërë të ditur se kryediplomati gjerman, më 20 maj në Prishtinë, do të takojë kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe minsitrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Mediat në Beograd thonë se Westerwelle do theksojë prerazi domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes. Po sipas tyre, ai do t’iu bëjë edhe një herë thirrje autoriteteve serbe që të largojnë strukturat e tyre nga veriu i Kosovës dhe të normalizojë marrëdhëniet me shtetin e ri.

Gjermania ka qenë në mesin e vendeve më të zëshme të Bashkimit Evropian sa u përket këtyre kërkesave.

Normalizimi i marrëdhënieve është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të përparojnë në procesin e integrimit evropian.(v.tela)
XS
SM
MD
LG