Ndërlidhjet

Westerwelle: Zbatimi i marrëveshjes, kushti kryesor


Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle.

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, ka bërë thirrje për zbatimin e marrëveshjes, e cila parasheh normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Shefi i diplomacisë gjermane ka arritur të dielën mbrëma në Beograd, ku është pritur nga zëvendëskryeministri i parë serb, Aleksandar Vuçiq.

“Dakordimi për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit është kushti kryesor për përparimin e mëtejshëm të Serbisë në rrugën evropiane”, ka porositur Westerwelle.

Marrëveshja është arritur muajin e kaluar midis kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, me ndërmjetësim edhe të Bashkimit Evropian.

Pas dy raundesh bisedime midis delegacioneve nga Kosova dhe Serbia, nuk është arritur pajtimi për planin zbatues të marrëveshjes. Palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për këtë dështim.

Ministri gjerman do të takojë sot edhe presidentin dhe kryeministrin e Serbisë, Tomisllav Nikolliq, përkatësisht Ivica Daçiq.

Më pas, Westerwelle pritet të udhëtojë drejt Prishtinës, ku do të bisedojë me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Gjermania ka qenë në mesin e vendeve më të zëshme të Bashkimit Evropian, të cilat i kanë bërë thirrje Serbisë që të largojë strukturat e saj paralele nga veriu i Kosovës dhe të normalizojë marrëdhëniet me shtetin e ri, nëse do që të shënojë përparime në procesin integrues.
XS
SM
MD
LG