Ndërlidhjet

Westerwelle: Marrëveshje historike - zbatojeni!


Guido Westerwelle, foto nga arkivi
Guido Westerwelle, foto nga arkivi
Kreu i diplomacisë gjermane, Guido Westerwelle, ka deklaruar sot në Beograd se nëse në Serbi merren vendime të duhura dhe ka rezultate të prekshme në zbatimin e Marrëveshjes me Prishtinën, ai mund t’i japë sinjale pozitive Bundestagut, në lidhje me datën e negociatave evropiane për Serbinë.

Në konferencën për gazetarë, pas takimit me kryeministrin serb, Ivica Daçiq, Westerwelle ka thënë se nuk mund të paragjykojë vendimin e shefave të shteteve të BE-së apo të Bundestagut, por ka theksuar se marrëveshja midis Beogradit dhe Prishtinës është historike dhe se tani duhen hapa konkretë për zbatimin e saj.

“Vizita ime në Serbi është gjest inkurajimi. Serbia mund të bëjë të mira për Evropën, ashtu si edhe Evropa për Serbinë. Andaj, është e rëndësishme që në këto momente historike të sjellim vendime të duhura”, ka thënë Westerwelle.

“Nuk mund të paragjykoj vendimet që duhet t’i marrin shefat e qeverive të BE-së apo Bundestagu, por nëse këtu merren vendime të duhura dhe nëse rezultatet në zbatimin e marrëveshjes janë të prekshme, atëherë mund t’i dërgoj sinjale pozitive parlamentit tonë”, ka thënë ministri gjerman.

Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve më 19 prill, në Bruksel, por zbatimi i saj ka ngecur dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për dështimin.

Në anën tjetër, finalizimi i saj shihet si kushti kryesor për përparimin e të dyja vendeve në procesin e integrimit evropian.

Këtë e ka theksuar edhe ministri Westerwelle me të arritur në Beograd, të dielën mbrëma.

“Dakordimi për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit është kushti kryesor për përparimin e mëtejshëm të Serbisë në rrugën evropiane”, ka thënë Westerwelle, pas takimit me zëvendëskryeministrin e parë serb, Aleksandar Vuçiq.

Me zbatimin e marrëveshjes, Beogradit do t’i rriteshin gjasat për të marrë datën e negociatave për anëtarësim në BE në muajin qershor, ndërsa Kosovës për të siguruar datën e nisjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Pas takimit me Westerwellen, presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka thënë se vendi i tij është i përkushtuar në zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe në përparimin e mëtejshëm drejt BE-së, por ka thënë se nuk do të mashtrojë partnerët evropianë, duke premtuar diçka që nuk mund të përmbushë.

Sipas mediave serbe, Nikolliq, në këtë mënyrë, ka vënë në pah se Serbia nuk do të njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, do të qëndrojë sot edhe në Prishtinë, ku do të bisedojë me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj.(v.tela)
XS
SM
MD
LG